Në ditën Ndërkombëtare të Personave të Pagjetur është promovuar libri i titulluar “Të jetosh më kujtimet e të pagjeturve” me rrëfimet e familjarëve të personave të pagjetur, raporton Ekonomia Online.
Ky libër përmbledhë historitë familjare dhe personale të dhjetë familjeve të personave të pagjetur në Kosovë.
Shtatë nga këto familje janë të nacionalitetit shqiptar ndërsa tre të tjerat janë nga komuniteti serb.
Aktorja Kaltrina Zeneli ka lexuar një përjetim të një qytetareje e cila tregon për tmerrin që kishin përjetuar në luftë.
“Unë kam shku me mjel lopën me gjithë burrë, e kemi pasë qenin lidhë edhe ai mbet me rahatu lopën. E kam pas kantën në dorë të bunari se po e shoh hekurudhën krejt zi u ba, dy kamionë u ndalën dhe po i shoh plot njerëz me maska ka një shirit të gjelbërt e kanë pasë . I kam piskatë burrit i kam kallxu. Krejt ishin shti veç kryt e qojshin. Unë i thash ika të fëmijë e i thash ik ti. Ai më tha se kurrë fëmijët nuk i la edhe kemi hi mrena. Kunati jem nuk ka ni mirë, ata ja banën nalu e ky s’ka ni. E gjujtën, e plagosën. Kanë hi mrena në shpi të mixhës, i morën dy djemtë e migjes, janë kanë tre. Prej aty hinen te kunati, gruja e tij u kanë tu i pastru fëmijët në banjo, aksham ish 19 e 30 mbrëmje, Nazifin e kapën të plagost edhe kunatin tjerët e morën. Erdhen e thirrën edhe burrin, i thash ik në katin e dytë, djalin e madh e nisha tu bërtit babë, babë, ata thoshin dil se veç jemi ardhë me ju këqyr a jeni në shpia”, lexon ajo rrëfimin.
Nita Luci, antropologe dhe ligjëruese në Universitetin e Prishtinës, thotë se ballafaqimi me këto tregime kërkon drejtësia dhe ata duhet ta ofrojnë institucionet.
“Ballafaqimi me këto tregime kërkon drejtësi e cila është po kjo drejtësia për të cilën po flasim që është drejtësia e vendosur brenda institucioneve që duhet ta ofrojnë atë. Kryesisht te ne diskutohet brenda kornizës tranzicionale. Ideja që përvojat, gjuha, tregimet janë shumë të rëndësishme”, tha ajo, raporton EO.
Nora Ahmetaj, eksperte për Drejtësinë Tranzicionale kërkoi nga institucionet që të bëjnë më shumë për fatin e të pagjeturve.
“Atë që ne nuk mund ta bëjmë, mund ta bëjnë institucionet. Në ato momente kur t’i ndihesh i dëshpëruar se s’ke forcë për të ndihmuar më tepër atëherë mundohesh me gjet mënyra se si me përçuar mesazhin e atyre zëri i të cilëve nuk dëgjohet. Dhe për 25 vite nëse me pyet dikush unë them se jam zëri i atyre që nuk dëgjohet”, tha ajo.
Gjatë promovimit është thënë se libri ka për qëllim ta rritë presionin tek Qeveria e Kosovës dhe ajo e Serbisë në mënyrë që të punojnë dhe te angazhohen më shumë rreth zbardhjes së fatit të personave të pagjetur dhe dënimit të atyre që kanë bërë krime.
Libri është promovuar edhe në Beograd në kuadër të festivalit “Mirëdita, Dober Dan”.