Rrëfimet prekëse të ukrainasëve që po largohen, 60 vjeçarja: Nuk e di se ç’do të ndodhë në të ardhmen

Prishtinë | 28 Shk 2022 | 08:47 | Nga Ekonomia Online

Qindra mijëra ukrainas po kërkojnë këto ditë mbrojtje në vendin fqinj, Poloninë. Varshava deklaron, se do të ndihmojë sa të mundet, por është hera e parë që ky vend përballet me një valë kaq masive refugjatësh.

Për klientët ukrainas në tregun polak të zonës kufitare në Medyka, ishte një shok lajmi për invazionin rus. Qindra ukrainas shkojnë në këtë treg përditë për të blerë ushqime e produkte kozmetike, pasi çdo gjë është më lirë se në tregjet vendase. Shumë vetë ngrihen herët që të jenë në treg sapo të gdhijë. E pikërisht këtu shumë vetë morën lajmin për sulmin e Rusisë të enjten në mëngjes (24.02.2022). “Isha duke blerë, kur mora një telefonatë nga shtëpia. Familja më tha, se ka një sulm kundër kampit ushtarak në afërsi të Samborit”, thotë Maria, një 60-vjeçare nga qyteti Sambor, 30 km nga kufiri me Poloninë. “Nuk e di se ç’do të ndodhë në të ardhmen, jam hutuar e gjitha”, thotë ajo dhe kërkon një mundësi si të shkojë në shtëpi. “Si mund të largohem nga Ukraina?” As nuk dija si dhe ku të shkoja, thotë ajo për DW.

“Ora e luftës”

Kurse një 50-vjeçar tregohet i përmbajtur por edhe luftarak. “Po, është luftë. E pastaj? Kemi pasur shumë luftëra dhe jemi vrarë për vendin tonë. Edhe tani do të tregojmë, që nuk jemi burracakë.” Ai thotë, se do të kthehet në Ukrainë dhe të do të angazhohet tek mbrojtja civile. Tani është ora e luftës, thotë ai.

Gjatë ditës rruga që të çon nga kufiri në treg mbushet me njerëz të tjerë, me valixhe të mëdha udhëtimi. Duket që ata nuk janë klientë të rregullt të tregut. Ata nuk qëndrojnë gjatë aty por porosisin taksi apo nisen me autobusët lokalë në drejtim të qytetit Przemysl për të shkuar në qytete të tjera në Poloni.

Ukraine-Konflikt - Geflüchtete in Polen

Refugjatë vijnë në Medyka

Lufta e ndryshon të gjithë jetën

Solomeiia Khoma nga Lvivi është 27 vjeç dhe punon prej tre vitesh për një firmë IT-je në Krakov, tre orë nga kufiri me Ukrainën. Ajo nuk di si do të kthehet aty, ku ende janë prindërit. “Prindërit e mi nuk duan të shkojnë në Poloni apo diku tjetër jashtë. Babai më tha, se do të shkojë në luftë të mbrojë vendin, se rusët nuk kanë të drejtë të vijnë në shtëpinë tonë. E është bërë shumë që ndodhen tek ne, prej 8 vjetësh që me aneksimin e Krimesë”, thotë ajo për DW duke shtuar se i dhemb zemra për atë që po ndodh në Ukrainë. “Nuk e besoj dot që ka një luftë në zemër të Europës. Kështu nuk mund të jetë, kështu nuk duhet të jetë. Jo në shekullin e  21.” Solomiias i mbushen sytë me lotë.

Ukraine-Konflikt - Geflüchtete in Polen

Ndihmë për refugjatët

25-vjeçari Bogdan Ilnytskij studion për Studime Aziatike në Universitetin e Krakovit. Ai është gati para përfundimit të studimeve, por tani nuk bën më plane për karrierën por që të bëjë kërkesë për azil në Poloni. Brenda një dite bota e tij u shkatërrua. “Papritur u ndjeva si në një film nga Lufta e Dytë Botërore. Nëna më zgjoi në 06:30 dhe tha, ngrihu djali im, është luftë.” Ai nuk ka asnjë trajnim ushtarak dhe nuk do të shkojë në front. “Të tillë si puna jonë janë vetëm mish për top, nuk e dua këtë.” Ai shpreson që vendin i tij të marrë mbështetje nga Polonia. Së bashku me studentë të tjerë në Krakov, Bogdan ka filluar të organizojë ndihma humanitare për refugjatët bashkëvendas nga Ukraina.

Ukraine-Krieg | Flüchtlinge Bahnhof Przemysl Polen

Stacioni polak Przemysl

Në kalimin kufitar të Medykas po vijnë gjithnjë e më shumë familje. Natalia me tre fëmijët kanë ardhur me automjet. Një nga fëmijët është me kufizime fizike. “Kam frikë për të, sidomos për të. Ai ka nevojë për kujdes të përhershëm dhe një dhomë të vetën”, thotë Natalia që kërkon ndihmë në një qendër lokale për pranimin e refugjatëve, që komuna polake e ka ngritur më ndihmë shtetërore në shkollën e zonës. Megjithëse në sallën e sportit janë vendosur shtretër për refugjatët, nuk është e qartë se si do të funksionojë kjo. Natalia arrin më në fund të gjejë një dhomë përmes organizatës për pakicën ukrainase në rajon, që prej kohësh është përgatitur për ardhjen e refugjatëve.

Ukraine Krise | Medyka | Menschen flüchten über die Grenze Richtung Polen

Pritje me ditë në kufi?

Njerëzit që kanë mbërritur në mbrëmje në Medyka duken shumë të lodhur. Tre të rinj ukrainas që jetojnë në Poloni qëndrojnë në kufi gati me shishe me ujë, banane apo ushqime. Refugjatët thonë se kanë qëndruar 10 orë në kufi në radhë. Rrugët në drejtim të Polonisë janë bllokuar nga automjetet, që lëvizin shumë ngadalë përpara. Shumë vetë dalin nga makinat dhe marrin rrugën në këmbë drejt kufirit. Vërtet në pikën kufitare gjërat ecin ngadalë dhe me burokraci. Në një orë mundet të kalojnë rreth 50 persona. “Ka vetëm disa nëpunës që janë aty dhe e kontrollojnë me kujdes çdo dokument. Sikur të ishte një ditë normale dhe jo situatë e jashtëzakonshme”, thotë e zemëruar Olena. Vajza 3-vjeçare që ajo mban në krahë është në gjumë. “Ata duhet të hapin kufirin dhe jo të kontrollojnë kaq me imtësi”, kërkon bashkëshorti i saj. Të dy rrëfejnë, se arritën të kalojnë më shpejt, për shkak të fëmijës së vogël. “Por ka ende mijëra vetë që presin dhe me këtë ngadalësi ata do qëndrojnë disa ditë në kufi”, thotë Piotri, që do të niset tek një teze në Gdansk.

Ukraine-Krieg | Flüchtlinge Bahnhof Przemysl Polen

Kriteret e udhëtimit lirohen

Olena dhe Piotr kanë marrë një vulë në pasaportë që u lejon të qëndrojnë 14 ditë në Poloni. Por policia kufitare polake nuk po i kontrollon pasaportat që ukrainasit duhet të tregonin gjithmonë para hyrjes në BE. Nga e premtja (25.02.) refugjatët e luftës nga Ukraina janë të çliruar edhe nga detyrimi i karantinës dhe nuk kanë nevojë për një test Covid aktual.

Ndërkohë stacioni i qytetit Przemysl, 10 km nga kufiri është mbushur me qindra refugjatë, shumica me fëmijë të vegjël. Këtu ndodhen ata që nuk kanë të afërm apo miq në Poloni, ku mund të shkojnë disa ditë. Punonjësit e qendrës së pranimit të refugjatëve ofrojnë ujë dhe ushqim. Edhe salla e sportit në Medyka po mbushet gjithnjë e më shumë. Për Poloninë kjo situatë është tërësisht e re dhe mungon përvoja, si të veprohet me një numër kaq të madh refugjatësh njëherësh. Vetëm ditën e parë të invazionit në Ukrainë erdhën 30.000 refugjatë. Qeveria polake llogarit me deri në 1 milionë ukrainas që do të kërkojnë ndihmë në Poloni. /DW/

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme