Promovohet libri ”Një kosovar si Radomiri” – Dimiq thotë se kreu obligimin e tij ndaj Kosovës

Prishtinë | 12 Mar 2025 | 18:45 | Nga Ekonomia Online

Të mërkuren në mbrëmje, është mbajtur promovimi i librit “Një kosovar si Radomiri – Radomir Dimiq, përmbledhje shkrimesh”, raporton Ekonomia Online.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se ky libër është një testament i guximit, i së vërtetës dhe shpirtit të pathyeshëm të njeriut.

“Është një testament i guximit, i së vërtetës dhe i shpirtit të pathyeshëm të njeriut. Një kosovar si Radomir është një rrëfim i së kaluarës, një pasqyrë e sinqertë e realitetit, si dhe një thirrje e fuqishme për të ardhmen. Radomir Dimiq ishte një emër i dalluar në politikë e gazetari, por edhe një njeri që guxoi të sfidonte narrativat e kohës, ta ngriste zërin dhe ta shihte Kosovën me sy dhe zemër të hapur. Ky libër përmbledh shkrimet e tij, rregimet dhe bindjet e tij, angazhimin dhe betejën e tij për drejtësi, liri dhe pajtim. Radomiri e kuptoi që e vërteta shpesh nuk është e lehtë për t’u pranuar, por pa të nuk mund të ketë pajtim. Ai e kuptoi që e ardhmja e një shoqërie nuk mund të ngrihet mbi mohimin e ndarjeve etnike. Ai e refuzoi qasjen e Beogradit, që serbët në Kosovë ishin të huaj, ashtu siç kundërshtoi çdo përpjekje për ta trajtuar Kosovën si të ndarë e të copëtuar”, tha ai.

Ambasadori i Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami, tha se Dimiq ishte një serb kosovar që hapur insistonte se shteti serb duhet të kërkonte falje për krimet që kishte kryer ndaj shqiptarëve dhe kërkonte nga elita intelektuale serbe të pranojë disfatën e nacionalizmit serb në Kosovë.

“Para shpalljes së pavarësisë kam takuar Radomirin. Nëse nuk më tradhton kujtesa, ai erdhi në redaksinë e Kohës për të sjellë disa nga shkrimet e tij të para. Aso kohe unë isha redaktor, për mua ishte një takim i pazakontë. Para meje qëndronte një serb kosovar i vendosur që publikisht mbrojti idenë e bashkëjetesës serbëve me shumicën shqiptare në një Kosovë të lirë, demokratike dhe evropiane. Para meje ishte një serb kosovar që hapur insistonte se shteti serb duhet të kërkonte falje për krimet që kishte kryer ndaj shqiptarëve dhe kërkonte nga elita intelektuale serbe të pranojë disfatën e nacionalizmit serb në Kosovë. Ishte një serb kosovar që mbështeste një Kosovë për të cilën ai e dinte që do të bëhej e pavarur”, tha ai.

Autori Radomir Dimiq falenderoi mediat që kanë publikuar shkrimet e tij, duke përfshirë këtu edhe agjencinë e lajmeve Ekonomia Online.

Ai tha se ky libër është biografia e tij kundër luftës dhe obligimi i tij qytetar ndaj Kosovës.

“E falenderoj gazetën Koha Ditore, Info Pres, Ekonomia Online, Kosova Sot dhe të gjithë të tjerët që morën pjesë në publikimin e shkrimeve të mia. Ky libër sqaron hapësirën e lirisë, është biografia ime kundër luftës, rezistenca ime, e vërteta, drejtësia, solidariteti dhe mospranimi ndaj gënjeshtrave. Ky është obligimi im qytetar ndaj Kosovës, dhe falënderimi i tij për ata që e kanë përhapur në një kohë të trishtueshme, gjatë viteve të 90-ta të regjimit kriminal të diktatorit Slobodan Milošević”, tha ai.

Screenshot

Të ngjashme