Promovohet ndërkombëtarisht ndihma e shqiptarëve ndaj hebrenjve

Prishtinë | 31 Tet 2016 | 13:50 | Nga

Ndihma që shqiptarët i dhanë popullit hebre gjatë luftës së dytë botërore do të njihet gjerësisht në botë. Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave dhe Autoriteti i Përkujtimit të Martirëve të heronjve të Holokaustit në Izrael, Yad Vashem, nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi për vlerësimin e popullit shqiptar.

Yad Vashem është autoriteti më i lartë i përkujtimit të viktimave të holokaustit dhe dhënësi i titullit “Fisnik mes Kombeve”, që përbën vlerësimin më të rëndësishëm për shpëtimtarët e hebrenjve.

Marrëveshja u nënshkrua nga drejtori i Arkivës, Ardit Bido dhe kreu i bordit të drejtorëve Yad Vashem, Prof. Dr. Avner Shalev.

“Shqipëria kishte një komunitet prej vetëm 200 hebrenjsh në fillim të Luftës, por në fund të saj kishte mbi 2000 të tillë. Ky numër, pavarësisht se ishte i vogël, vlen për të treguar historinë e veçantë të një populli që kontribuoi për shpëtimin e hebrenjve”, tha Shalev.

Nga ana tjetër Bido theksoi se Arkivat Shqiptare tregojnë jo vetëm historitë personale të hebrenjve, por përmbajnë edhe dokumente të një rëndësie të veçantë që rrëfejnë rolin e ministrave të asaj periudhe, apo të katër komuniteteve fetare shqiptare për shpëtimin e popullsisë he-breje.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme