Pronarët e dyqaneve në Hamburg kanë kërkuar 18 milionë euro (20,5 milionë dollarë), për dëmet e shkaktuara nga protestat gjatë samitit të G20-tës në Hamburg.
”Pronarët e dyqaneve të qytetit i kanë dërguar një kërkesë me shkrim kryebashkiakut të Hamburgut, Olaf Scholz pasi tregjet ushqimore dhe dyqanet u plaçkitën dhe u dëmtuan rëndë gjatë tre ditëve të dhunës”, njoftoi sot televizioni publik “NDR 90.3”, raporton DPA.
Kancelarja gjermane, Angela Merkel ka dënuar veprimet e protestuesve dhe ka këmbëngulur që viktimat e protestave të marrin kompensim nga shteti.
Shitësit e Hamburgut thanë se kërkesat e tyre për dëmtim deri tani nuk kishin përfshirë kostot e masave mbrojtëse, që ata ishin detyruar të merrnin përpara samitit të G20-tës.
Në kërkesën e nënshkruar nga “Shoqata e tregtarëve me pakicë të veriut” dhe “Shoqata e ndërmarrjeve të mesme dhe të mëdha të Hamburgut”, thuhet se disa biznese nuk mund të nisin punën pasi punonjësit e tyre ishin ende shumë të frikësuar nga dhuna.
Gjithashtu, konsumatorëve potencialë u është penguar hyrja brenda në qytet si rezultat i operacioneve të policisë.
Për të kompensuar të ardhurat e humbura gjatë demonstratave, tregtarët me pakicë kanë kërkuar dy të diela të tjera për të mbajtur hapur dyqanet e tyre, gjatë ditëve të rëndësishme të Krishtlindjeve në dhjetor.
Sipas ligjeve tregtare gjermane, dyqaneve u lejohet të hapen vetëm për një numër të caktuar të dielash në vit.