Pronari i objektit në Ulpianë paralajmëron kallëzim penal ndaj Pecit: Nuk dorëzohemi përball shantazhit

Prishtinë | 24 Gus 2023 | 13:12 | Nga Ekonomia Online

Yll Bogaj, pronari i një objekti që u denoncua për “krim dhe korrupsion” të mërkurën nga ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka deklaruar se janë familje “e thjeshtë dhe e zakonshme kosovare.

Ai ka deklaruar se nuk dorëzohen përball shantazhit, pasi Peci, u paraqit para një objekti të njohur në lagjen Ulpiana në Prishtinë, që njëkohësisht është edhe afër selisë kryesore të AAK-së.

Ministri Peci në një video të publikuar në Facebook tregoi se përkundër denoncimit të tij se në atë objekt që sipas tij është e shtetit, po ushtrohen shumë veprimtari të paligjshme, nuk ka pasur “asnjë veprim nga Prokuroria Speciale”.

Bile, i pari i Bujqësisë theksoi se ka marrë vendim që “objekti t’i kthehet titullarit në shfrytëzim”, duke e pasur fjalën për Institutin Bujqësor të Kosovës.

“Që nga viti 2012 në këtë objekt dhe përreth tij ushtrohen shumë veprimtari të paligjshme. Për të gjitha këto dukuri, tjetërsimin e dyshimtë të pronave, aneksimin, ndërtimet e vrazhda brenda objektit të Institutit Bujqësor të Kosovës para afër një viti unë kam denoncuar publikisht dhe ia kam ofruar të gjitha provat Prokurorisë së Shtetit”, u shpreh Peci.

Megjithatë, Bogaj ka treguar se e ka paditur për shpifje ministrin Peci. Ai tha se objekti të cilin tregon se e kanë në pronësi, është objekt banesor i blerë në “mënyrë legjitime e legale nga personat fizik, përmes kontratave të lidhura pranë organeve kompetente, e jo nga Instituti i Bujqësisë”.

Po ashtu, ai në një postim në Facebook e ka sfiduar Pecin që të përballen në cilëndo studio televizive, për “t’ia dëshmuar të vërtetat rreth kësaj çështjeje”.

Bogaj teksa tregoi se e kanë paditur ministrinë e Bujqësisë në vitin 2016 për definimin e kufirit pronësor, u shpreh se do të dorëzojnë edhe kallëzim penal ndaj Pecit.

“…do t’i njoftojmë të gjitha institucionet vendore e ndërkombëtare që garantojnë paprekshmërinë e pacenueshmërinë e pronës private, përfshirë Presidenten, Kryetarin e Kuvendit, Kryeministrin, Avokatin e Popullit, Ambasadat e Vendeve Perëndimore, Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, Ministrin e Punëve të Brendshme dhe Policinë, si dhe Kryeprokurorin e Shtetit, lidhur me vendimet arbitrare të Faton Pecit, përmes së cilave, duke cenuar paprekshmërinë e pronës private, ai hapur ka dalë mbi ligjin, mbi të drejtën, mbi shtetin ligjor”, shtoi ai.

Të ngjashme