Bashkimi Evropian s’kanë komentuar propozimin e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, që Kosova të braktis dialogun bilateral me Serbinë dhe të fokusohet vetëm në negociata me BE-në dhe implementim të njëanshëm të obligimeve të marra në kuadër të procesit të normalizimit.
Një zëdhënës i BE-së ka thënë se Brukseli zyrtar s’komenton mbi komentet e bëra nga kryeministri shqiptar.
“S’kemi koment nga ana jonë për komentet”, kanë thënë për Gazetën Express një zëdhënës i Bashkimit Evropian.
Kreu i Qeverisë së Shqipërisë, Edi Rama, në fjalimin e tij në Kuvendin e Kosovës gjatë mbledhjes së përbashkët të dy parlamenteve, ka thënë se Kosova duhet të zbatojë njëanshëm obligimet e marra na kuadër të dialogut të Brukselit dhe të mos e pres fare se çfarë po bën Serbia.
Rama kishte deklaruar në Kuvend se ky propozim s’është një leksion, por një opinion vëllazëror për të shmangur pësimet historike.
“S’ka asnjë arsye që Kosova të presë çfarë do të bëjë Serbia, për të bërë pastaj ajo hapat e saj drejt BE-së dhe NATO-s. Kosova e uli në gjunjë Serbinë 25 vjet më parë dhe sot duhet ta lë në bisht Serbinë. E them këtë, jo për t’i dhënë Kosovës një leksion. Por një opinion vëllazëror dhe konstruktiv, për atë se si mësimet e integrimit në njërin vend, mund t’i vlejnë vendit tjetër. Që të mos kemi pësime historike, kur sot fatin e kemi që të gjithin në duart tona, dhe krahët i kemi të shtrirë nga Mitrovica në Konispol”, ka deklaruar Rama.
Për mundësinë e zbatimit të njëanshëm të obligimeve të dala nga dialogu i Brukselit më herët kishte folur edhe presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani. Në nëntor të këtij viti, duke sqaruar se është qëndrimi i saj dhe jo domosdoshmërisht i institucioneve, Osmani ka thënë se Kosova mund të zbatojë njëanshëm obligimet e dialogut nëse për këtë arrihet pajtim dhe merren garanca nga ndërkombëtarët për siguri, njohje dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare.
“Është qëndrimi vetëm i imi, jo domosdoshmërisht i institucioneve tjera, e kam thënë, ka të bëjë me mënyrën të cilat ne i kemi shfrytëzuar në vitin 2007-2008. Atëherë kur Serbia nuk zbatonte, ne e kemi pasur me marrëveshjen tonë me partnerët, me aleatët edhe pse Kosova pakon e Ahtisarit e kishte zbatuar në mënyrë të njëanshme ajo çfarë kishte përfituar ishte pavarësia, njohjet, anëtarësimi në organizatat ndërkombëtare. Në qoftë se partnerët ndërkombëtarë janë të interesuar që ne të ulemi me ta dhe zbatimi i marrëveshjeve nga ana e Kosovës të lidhet me përkrahje ndërkombëtare, garanci të sigurisë, njohje dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare kjo është një situatë e re. Megjithatë, deri tani nuk ka pasur përgjigje konkrete nga ana e komunitetit ndërkombëtar për një gjë të tillë”, kishte deklaruar Osmani.
Dialogu Kosovë-Serbi deri me datën 31 janar 2025 do të vazhdojë të ndërmjetësohet nga emisari sllovak, Miroslav Lajcak. Shefja e re politikës së Jashtme të BE-së, Kaja Kallas, pritet të bëj publike shumë shpejt qasjen e Brukselit në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, nëse do të vazhdojë të ndërmjetësohet me emisar, apo nëse ajo vetë do të përfshihet në negociata