Kosova dhe Serbia pas disa vitesh negociata, kanë arritur në fazën finale, ku po shtyhen që të arrijnë një marrëveshje finale, e cila Serbisë do t’i hapte rrugë në procesin e integrimit evropian, ndërsa Kosovës do t’i mundësonte njohje, të paktën të heshtur nga Serbia.
Deri vonë nuk ka pasur ide konkrete se si do të mund të vihej deri te kjo marrëveshje, por tani së fundmi në opinion është hedhur ideja e korrigjimit të kufijve, e cila po përkrahet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe disa shtete evropiane, por po kundërshtohet nga Gjermania.
Gjermanët janë insistues se kufijtë në Ballkan nuk duhet të ndryshojnë, dhe as Kosova e Serbia nuk guxojnë ta bëjnë këtë.
Ata për dallim nga ideja të cilën Thaçi e ka hedhur në opinion e që nuk po kundërshtohet as nga homologu i tij Vucic, si mundësi të arritjes së një marrëveshje finale në mes të Kosovës dhe Serbisë, po e shohin një lloj autonomie që duhet Kosova të ua pranojë serbëve të komunave veriore.
Gazeta Metro nga burime diplomatike në Bruksel, por edhe në Prishtinë, ka mësuar se Gjermania tashmë ka filluar një fushatë për të kërkuar mbështetje për propozimin e saj, e që është një Ahtisari Plus, në fakt Asociacion të komunave me shumicë serbe, me kompetenca ekzekutive.
Me këtë në Kosovë do të krijohej një nivel i tretë i pushtetit ekzekutiv, i cili më shumë do të ishte i kontrolluar nga Beogradi se sa nga Prishtina. Ky propozim duket se është i pranueshëm edhe për Serbinë, i cili do ta bindte Vucicin, që të pranojë një marrëveshje finale, për mes së cilës do të pranonte ta njihte shtetit e Kosovës, por pa njohje de jure.
Ky burim i ka thënë Gazetës Metro, se Kosova nëse do të pranonte propozimin gjerman për Ahtisari Plus, do të merrte njohje de fakto prej Serbisë, dhe do të bëhej anëtare e OKB’së, por jo me të drejta të plota. Kosova sipas këtij modeli, në OKB do të pranohej vetëm si shtet vëzhgues.
Gazeta Metro ka mësuar se gjermanët propozimin e tyre tashmë kanë filluar ta diskutojnë me shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, dhe pyetje për këtë kanë shtruar edhe tek ambasadorët e shteteve anëtare të BE’së në Kosovë.
Megjithatë, Asociacioni me kompetenca ekzekutive është hedhur poshtë nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, dhe llogaritet se një model i tillë do të ishte një pykë brenda shtetit të Kosovës, e cila këtë shtet do ta bënte jofunksional dhe të ndarë, njëjtë sikurse Bosnje dhe Hecergovina.
Asociacioni me kompetenca ekzekutive, është kundërshtuar nga të gjitha partitë politike në Kosovë. Megjithatë, ka ndarje në mes të partive politike sa i përket modelit të korrigjimit të kufirit të propozuar nga presidenti Hashim Thaçi. Madje ky model nuk po arrin të marr as mbështetjen e partive në pozitë. Kryeministri Ramush Haradinaj, ka qenë i ashpër duke thënë se ndryshimi i kufijve do të thonë luftë.