Ministri i Shqipërisë për Diasporë, Pandeli Majko, ka kërkuar që të këtë tolerancë për mënyrën se si zhvillohen proceset në vendet shqiptare.
“Uroj qe të takohemi në Tiranë, Shkup e Podgoricë. Ka shumë punë për të bërë. Kosova është në brezin e parë politik. Kërkoj në mënyrë vëllazërore tolerancë, për mënyrën se si zhvillohen gjërat në Kosovë dhe Shqipëri. Uroj që punimet e kësaj jave të jenë të suksesshme. Kufiri me Shqipërinë nuk do të korrigjohet, por do të hapet.
Drejtoresha e Odës Ekonomike Gjermano – Kosovare, Nora Hasani, ka kërkuar përkrahjen e afaristëve sa i përket investimeve në Kosovë.
Lazim Destani, kryetar nderi i Rrjetit të Bizneseve të Diasporës Shqiptare, tha se duhet të fitohet besimi i diasporës rreth vlefshmërisë për të investuar në trojet shqiptare.
“Të flasësh për diasporën është shumë. Unë i kisha ndarë në tri gjenerata diasporën. E para, dhe e dyta kemi qenë me shumë emocione për vendlindjen, qoftë para apo pas luftës. Gjenerata e tretë sheh më ndryshe, janë rritur dhe shkollohen në universitete gjigante të botës, e shohin ndryshe. Kisha kërkuar nga qeveritë tona të mendojnë pak më shumë, të caktojnë njerëz që e kuptojnë anën e biznesit dhe ekonomisë sa më mire që të fitohet një besim më i madh i biznesmenëve të diasporës.
Destani ka propozuar që të formohet një Odë e Diasporës në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni dhe Mal të Zi dhe të jetë njëjtë në secilin vend. Sipas tij, kjo odë do të ishte urë lidhëse mes diasporës dhe shteteve të tyre, por edhe për të nxitur investimet e huaja.