Protesta e estradës, Robert Berisha: Nuk marrë pjesë aty ku këndohet “playback”

Prishtinë | 12 Kor 2021 | 13:30 | Nga Ekonomia Online

Duke qenë se tanimë orari i punës për kafiteritë në Kosovë është deri në ora 23:00, atëherë këngëtarët e estradës po e shfrytëzojnë që të mbajnë edhe mbrëmje muzikore.

Artistë të shumtë, jo vetëm në Kosovë, por koncertet e tyre i kanë filluar edhe jashtë kufijve, e në mesin e tyre është edhe Robert Berisha.

Këngëtari në një prononcim për Gazetën Online “Reporteri.net” ka thënë se estrada kanë mbi një vit pa punë, e tani me mbajtjen e mbrëmjeve muzikore u është kthyer disponimi.

“Na është kthyer disponimi, tu e marrë parasysh që estrada jemi të dëmtuar plot 14 muaj pa punë dhe normal që tani jemi me disponim më të mirë, derisa të hapen komplet qysh duhet. Është normale që nuk mund të kemi çmimin e njëjtë duke qenë se orari është deri në ora 23:00”, tha këngëtari.

Robert Berisha

Tutje ai shtoi se pajtohet me vendimin për orarin e lejimit të funksionimit të kafiterive deri në ora 23:00, duke qenë se Kosova ka qenë gjithmonë më e liruar sa i përket masave ndaj Covid-19.

“Sa i përket këtij vendimi deri në ora 23:00, të mos harrojmë që në shtetet tjera nuk kanë punuar një vit hiç, por Kosova është shtet siç është dhe nuk shtyhemi dot me shtetet tjera të Evropës, ne kemi qenë më të hapur se të tjerët. Shumë vende kanë qenë të mbyllura e Kosova i ka leju, shteti ka bërë boll për ne”, vazhdoi ai.

Robert Berisha

Ndërsa, për protestën e cila do të mbahet me 14 korrik nga klubet e natës dhe një pjesë e estradës ai u shpreh se nuk do marrë pjesë.

“Janë organizuar vet disa prej kolegëve dhe shumë mirë që po e bëjnë këtë protestë, edhe shumë mirë që ua kanë leju atë mbramje me mbajtë në mes të sheshit, por unë u uroj suksese, mirëpo unë nuk këndoj “playback” e aty ka me pas vetëm këngëtarë të “playback-ut” që këndojnë “playback” në atë skenë, pasi nuk ka as mundësi edhe tenike që me u mbajtë një mbrëmje jashtë me orkestër e me muzikë live. Edhe ashtu unë jam i zënë me datë 14 korrik. I uroj suksese të gjitha bizneseve dhe së shpejti të kthehemi në normalitet”, përfundoi Berisha për Reporteri.net.

Protesta nga klubet e natës dhe një pjesë e estradës do të mbahet më 14 korrik në ora 20:00.

Të ngjashme