Protestat e dhunshme që kanë goditur Parisin javët e fundit duket se janë përhapur edhe në Brukselin fqinj, atje ku më shumë se 400 njerëz janë arrestuar pas përplasjeve mes policisë dhe “jelek-verdhëve” belgë.
Të paktën 1.000 policë ishin dislokuar për mbarëvajtjen e protestave në rrugë, por atyre iu desh të përdornin gazin lotsjellës dhe pompat e ujit ndaj protestuesve, pas përpjekjeve të dështuara për të mbajtur situatën nën kontroll.
Zonat ku gjenden godinat e Komisionit Europian dhe Parlamentit Europian u rrethuan nga një prani e shtuar policore, ndërsa pamjet filmike që përfunduan në rrjetet sociale treguan se protestuesit u përleshën me policinë jashtë PE-së.
Policia kishte vendosur barrikada në të gjitha institucionet europiane të rëndësisë kyçe, ndërsa u ndalua si masë paraprake edhe kalimi i këmbësorëve apo i automjeteve.
Policia e Brukselit njoftoi se demonstruesit ishin mbledhur në dy zona kryesore të kryeqytetit belg, “Arts Lois” dhe “Porte de Namur”. Zëdhënësja e policisë tha se “të paktën 70 persona ishin arrestuar pas kontrolleve të ushtruara për të parandaluar dhunën”.
Një agjenci belge lajmesh raportoi gjithashtu se protestues të rinj bllokuan një autostradë që lidhte Brukselin me Rekkemin në Flanders, rajoni që ndodhet pranë kufirit me Francën.
Lëvizja në Belgjikë, e frymëzuar nga protestat në Francë përgjatë muajit të kaluar, u dha zë ankesave të protestuesve mbi kostot e jetesës, që kërkuan gjithashtu largimin e koalicionit qeveritar të qendrës së djathtë në Belgjikë, vetëm 6 muaj përpara mbajtjes së zgjedhjeve kombëtare në muajin maj.