Grupi organizativ i protestës “Asnji cent ma shumë”, kanë protestuar sot kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike, raporton Ekonomia Online.
Protesta nisi nga sheshi “Zahir Pajaziti” me dy kërkesa kryesore: anulimi i vendimit të ZRRE-së për vendosjen e bllok tarifës dhe nacionalizimi i KEDS-it. Ndonëse u penguan paksa nga Policia e Kosovës, ata pak protestues arritën deri tek ndërtesa e Qeverisë.
Aty foli Deniz Krasniqi njëri nga organizatorët e kësaj proteste. Tha se secili e di se sa ka paguar e ka përfituar KEDS-i nga qytetarët.
“Ne dimë ta kundërshtojmë me të gjitha mjetet demokratike këtë vendim. E kemi një kërkesë për ZRRE-në për me anulu vendimin për vendosjen e bllok tarifës dhe rritjen e çmimit. Kemi një kërkese edhe më të madhe për me fillu nacionalizimin e rrjetit energjetik të Kosovës”, tha Krasniqi.