Ndërkohë që disa vende vuajnë mungesën e turistëve, të cilët ndikojnë drejtpërdrejtë në ekonominë e brendshme, qytetarët europianë, prej një muaji tashmë kundërshtojnë fluksin e lartë të turistëve që ka përfshirë qytetet e Europës.
Që nga Venecia, Roma, Milano në Itali, deri në Spanjë, e Kroaci, mijëra njerëz protestojnë për atë që e quajnë mbipopullim të shtëpive të tyre.
Në Majorca protestat janë përshkallëzuar në dhunë e shkatërrim. Grupet kundër turistëve kanë dëmtuar zyrat e informacioneve turistike, ndërsa janë përleshur edhe me policinë.
Kundërshtia popullore ka bërë që shumë qytete europiane të marrin masa përsa i takon organizimit të sezonit turistik.
Barcelona do të aplikojë një taksë të re të turizmit, pas protestave se vizitorët e shumtë në qytet po shkatërrojnë trashëgiminë kulturore. Protestuesit thonë se nuk duan të humbasin identitetin e tyre vetëm si pasojë e turistëve të papërgjegjshëm.
Vizitorët e huaj në Firence dhe Venecia janë rritur pothuajse me 32 përqind që nga viti 2009.
Ndërsa Roma po konsideron kufizimin e numrit të vizitorëve në disa pjesë të qytetit.