Një numër rekord njerëzish demonstruan në Birmani të mërkurën pavarësisht ndalimit të tubimeve nga junta ushtarake, e cila mori sundimin e vendit pas grushtit ushtarak në fillim të shkurtit.
Protestuesit mbushën rrugët e kryeqytetit Naypyitaw, qytetit të dytë më të madh të vendit Mandalay si dhe qytetit Yangon, ku pjesëmarrja ishte ndër më të mëdhatë që nga marrja e pushtetit me dhunë nga ushtria.
Një numër i madh njerëzish nga të gjitha sferat e jetës private dhe publike morën pjesë në demonstratën masive kundër juntës ushtarake. Shumë njerëz braktisën punën për të marrë pjesë në protestë, pavarësisht një urdhri ushtarak dhe kërcënimeve për veprime ndaj tyre.
Nuk ka pasur njoftime për dhunë të shkallës së lartë, ndërsa protestuesit bllokuan makinat e policisë dhe ushtrisë në Yangon duke vazhduar praktikën e bllokimit të rrugëve kryesore me automjete të ndaluara në mes të rrugës duke pretenduar se kanë probleme me motorin.
Protestuesit po ashtu vërshuan në rrugët e qytetit Mandalay, ku forcat e sigurisë një ditë më parë u drejtuan tytat e armëve rreth 1 mijë demonstruesve dhe i goditën ata me shkopinj dhe sende të tjera. Njoftimet e shtypit lokal flisnin për përdorimin e plumbave të gomës ndaj turmës, duke plagosur disa njerëz.
Në qytetin Naypyitaw, inxhinierët dhe punonjësit e bankave u bashkuan me protestuesit ndërsa marshuan në rrugët kryesore të qytetit, me thirrjet për lirimin e udhëheqëses Aung San Suu Kyi dhe presidentit Win Myint. \ Voa