Qindra studentë universitarë janë mbledhur në Beograd për të protestuar kundër politikave të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe partisë së tij në pushtet Progresiste Serbe (SNS), të cilën ata e fajësojnë për katastrofën hekurudhore muajin e kaluar, në të cilën vdiqën 15 persona.
Çatia e betonit e rinovuar së fundmi të stacionit të trenit në qytetin verior të Novi Sadit u rrëzua më 1 nëntor, duke vrarë 14 njerëz dhe duke plagosur tre. Një nga të plagosurit ka ndërruar jetë më vonë.
Studentët në universitetet në Beograd dhe anembanë Serbisë kanë protestuar që atëherë, duke kërkuar publikimin e dokumenteve të rëndësishme për rinovimin e stacionit dhe ndjekjen penale të atyre që janë përgjegjës për fatkeqësinë, raporton The Guardian.
Pas një vigjiljeje 15-minutëshe në heshtje për të përkujtuar viktimat e aksidentit, studentët marshuan drejt selisë së prokurorit të shtetit në Beograd të mërkurën për të dorëzuar 1000 letra identike proteste në zyrën e Zagorka Dolovac, kryeprokurores së shtetit.
“Studentët kërkojnë që të luftoni për ligjin dhe drejtësinë, pa asnjë keqpërdorim politik apo korruptiv”, thuhet në letër.
Studentët, opozita dhe grupet qytetare fajësojnë Dolovac dhe prokurorët për hetimin e ngadaltë të katastrofës, diçka që ata e mohojnë.
Studentët mbanin pankarta me një dorë të gjakosur, për të cilën ata thonë se simbolizon përgjegjësinë e qeverisë për shembjen e çatisë.
Partitë opozitare dhe grupet qytetare kanë dalë gjithashtu në rrugë, duke fajësuar për aksidentin ndërtimet e dobëta që vijnë nga korrupsioni dhe nepotizmi.
Koalicioni qeverisës e mohon këtë dhe Vuçiq ka thënë se përgjegjësit duhet të japin llogari.