Nën organizimin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), në disa qytete, përfshirë, Gjilanin, Mitrovicën Ferizajn, Pejën, Gjakovën dhe Prizrenin janë zhvilluar sot protesta me kërkesën kryesore për lirimin e Ramush Haradinajt, i cili po mbahet në paraburgim nga autoritetet franceze, sipas një urdhërarresti të lëshuar nga Serbia.
Protesta në ngjashme janë mbajtur edhe në Tiranë dhe Shkup. Kurse javën e kaluar një e tillë është organizuar në Prishtinë.
Ramush Haradinajt, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ish-kryeministër i Kosovës dhe ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është ndaluar më 4 janar nga autoritetet franceze mbi bazën e një urdhërarresti ndërkombëtar të Serbisë, me të cilin akuzohet për krime lufte në Kosovë.
Ministria e Drejtësisë në Serbi ia ka dorëzuar të martën organeve të drejtësisë në Francë kërkesën për ekstradim të ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.
Me kërkesën për ekstradim organeve franceze të drejtësisë i është dorëzuar edhe dokumentacioni përcjellës i përkthyer në gjuhën frënge në bazë të cilit “drejtësia franceze do të vendos nëse janë përmbushur të gjitha kërkesat për ekstradim të Haradinajt në Serbi”.
Nga ana tjetër, pala mbrojtëse e Haradinajt ka kërkuar lirimin me kusht të tij, deri në përfundimin e procedurave.
Pritet që Haradinaj të paraqitet të enjten para gjykatës ku do të shqyrtohet lënda ndaj tij.
Për rastin Haradinaj, ka debatuar edhe Kuvendi i Kosovës, por për shkak të mospajtimeve ndërmjet pushtetit dhe opozitës rreth dy pikave, ka dështuar miratimi i një rezolute, me të cilën ligjvënësit e Kosovës do të kërkonin lirimin e Haradinajt nga paraburgimi.
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa e ka cilësuar arrestimin e Haradinajt “të motivuar politikisht dhe armiqësisht nga Beogradi” dhe u ka kërkuar autoriteteve franceze lirimin e menjëhershëm.
Ramush Haradinaj qe arrestuar edhe në vitin 2015 në Slloveni në bazë të urdhërarrestit të policisë së Serbisë të vitit 2004 dhe qe mbajtur për disa ditë në arrest në Lubjanë.
Në vitin 2012, u shpall i pafajshëm për të gjitha akuzat për krime lufte nga një Gjykatë Ndërkombëtare për Krime Lufte në ish-Jugosllavi.
Rigjykimi në vitin 2012, u bë katër vjet pas një vendimi të së njëjtës Gjykatë e cila më 2008 e nxori të pafajshëm nga të gjitha akuzat që e ngarkonin për shkelje të ligjeve të luftës. (rel)
Ferizaj kërkon lirimin e Haradinajt
Nën organizimin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, edhe në Ferizaj janë zhvilluar protesta me kërkesën kryesore për lirimin e Ramush Haradinajt, i cili po mbahet në paraburgim nga autoritetet franceze, sipas një urdhër-arresti të lëshuar nga Serbia.
Xhavit Zariqi, kryetar i degës së AAK-së në Ferizaj, para të pranishmëve tha se mbajtja e Haradinajt në paraburgim është e papranueshme. Andaj kërkoi lirimin sa më të shpejtë të tij.
“Arrestimi i Ramush Haradinaj është turpi i drejtësisë botërorë. Nuk mund të pranojmë që çlirimtarët e vendit të arrestohen dhe ne të rrimë duarkryq.Presim zërin e arsyes dhe Ramushi të lirohet sa më shpejt” tha Gafurr Bytyqi.
Ndërsa Rafiz Sejdiu nga Organizata e OVL e UÇK-së tha se ish ushtarët e UÇK-së janë të revoltuar me arrestimin e Komandantit të UÇK-së.
“Konsiderojmë që arrestimi i Komandantit Ramush Haradinaj është arrestuar pa asnjë baze juridike por thjeshtë është arrestim politik” ka thënë Sejdiu.
Faik Grainca në emër të LDK-së në Ferizaj duke përkrahur këtë protestë tha se kërkojmë që sa më shpejt të lirohet Ramush Haradinaj.
Edhe Labinot Tahiri në emër të AKR-së dega në Ferizaj kërkoi që protestat të mos ndalen deri në lirimin e Ramush Haradinaj
Ndërsa Xhavit Zariqi,kryetar i AAK-së Dega në Ferizaj se sot në këtë protestë të gjithë së bashku po kërkojnë lirimin e Ramush Haradinaj.
Mbajtjen në arrest të Ramush Haradinjat Zariqi e ka quajtur turp për qeverinë e Kosovës .
Pas shpalosjes së kërkesave protestuesit vazhduan marshimin nëpër sheshin e qytetit.
Ramush Haradinajt, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ish-kryeministër i Kosovës dhe ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është ndaluar më 4 janar nga autoritetet franceze mbi bazën e një urdhër-arresti ndërkombëtar të Serbisë, me të cilin akuzohet për krime lufte në Kosovë.