Anëtarë të shoqatës për fibrozë cistike, dhe prindër të cilët kanë fëmijët me këtë sëmundje kanë protestuar para objektit të Ministrisë së Shëndetësisë, raporton Ekonomia Online.
Arsyeja e protestës së tyre ka qenë për shkak të mungesës së barnave për fibrozë cistike, mungesën e mjekëve për këtë sëmundje dhe spitalit.
Vlora Vatofci e cila ka fëmijën me fibrozë cistike, tha se po përballen me mungesë të mjekëve dhe barnave, dhe se kërkesat e tyre s’po merren parasysh.
“Jam nënë e një fëmije me fibrozë cistike, arsyeja pse jemi në protestë është për shkak të mungesës së barnave, edhe pse kemi bërë kërkesë në Ministrinë e Shëndetësisë ato nuk janë marrë parasysh, kemi mungesë të barnave, stafit shëndetësor po ashtu dhe mungesë të spitalit”, tha ajo.
Sherif Uka, thotë se ai ka humbur një fëmijë nga kjo sëmundje , duke thënë se edhe pse me një pagë të vogël është detyruar të hyjë në kredi.
” Jemi në gjendje shumë të rëndë. Terapi nuk kemi që gjashtë muaj. 50 euro është një. Nëse s’plotësohen kërkesat tona ka me ardhur këtu me bë çka s’bëhet. Një fëmijë më ka vdekur nga fibroza cistike. Jem lodh, kredi kemi hyrë me paguar barnat e fëmijës. Unë e kam pagën veç 300 euro “, tha ai.
Ismet Jahiri kryetar i shoqatë tha se do të vazhdojnë edhe me protesta tjera.
“Arsyeja e daljes këtu është mungesa e medikamenteve. Mas këtij tubimi do të caktojmë datë edhe për protesta më të mëdha”, tha ai.