Protesta e thirrur për t’i dalë në mbrojtje ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinajt ka mbledhur rreth vetës qytetarë të shumtë.
Në Prishtinë, në Sheshin “Skënderbeu” po mbahet një protestë gjithëpopullore në mbështetje të Ramush Haradinajt, liderit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, i cili po mbahet në Francë në bazë të një fletarresti të Serbisë.
Në protestë janë edhe deputetët nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, Luljeta Veselaj e Safete Hadërgjonaj. Po ashtu shihen edhe deputetët e Vetëvendosjes, Visar Ymeri, Rexhep Selimi, Aida Dërguti e Mutaher Haskukaj.
Protesta në mbështetje të Haradinaj po mbahet pas seancës gjyqësore ndaj liderit të AAK-së, të cilit i është shtyrë vendimi nga Gjykata e Colmarit në Francë deri më 6 prill.
Protesta është organizuar nga AAK-ja, ndërsa mbështetje ka marrë edhe nga Lëvizja Vetëvendosje, NISMA për Kosovë, Aleanca Kosova e Re si dhe nga organizata të tjera.
Haradinaj është arrestuar me 4 janar nga autoritet franceze, bazuar në një fletarrest të lëshuar nga Serbia.