Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, kërcënoi me vendosjen e tarifave shtesë mbi importet e mallrave nga Kina.
Trump tha se tarifat e reja prej 10% do të hyjnë në fuqi nëse Kina “refuzon t’i ndryshojë praktikat e saj”.
Ky veprim do të ishte një përshkallëzim i madh i mosmarrëveshjeve që rrezikojnë ta çojnë ShBA-në dhe Kinën në luftë tregtare.
Trump këmbëngul se Kina ka përfituar padrejtësisht nga një jobalancë tregtare me ShBA-në, për vite të tëra.
Javën e kaluar, ai ka thënë se ShBA do të vendosë tarifa prej 25% mbi mallrat kineze, në vlerë prej 50 miliardë dollarësh.
Pekini është përgjigjur duke thënë se do të godasë me taksë të njëjtë 659 prodhime amerikane.
Trump tha se me masa hakmarrëse, Kina “kërcënon kompanitë amerikane, punëtorët dhe fermerët që nuk kanë bërë asgjë të keqe”.
Tregjet e aksioneve shënuan rënie për shkak të frikës nga përkeqësimi i mëtejmë ti marrëdhënieve tregtare midis ShBA-së dhe Kinës.