Ndeshjet në Gjermani u ndërprenë për disa minuta gjatë fundjavës për shkak banderolave fyese, duke vënë në pah përplasjet në rritje mes federatës gjermane dhe tifozëve ultras pasionant.
Spikerët e stadiumeve në Dortmund dhe Berlin tërhoqën vërejtjen se do të ndërpriten ndeshjet nëse banderolat nuk largohen nga tribunat, ndërsa ndeshja e Bayernit në Hoffenheim përfundoi në mënyrë të çuditshme, ku lojtarët e dy skuadrave thjeshtë endën topin për 10 minuta të fundit, në shenjë proteste.
Ndërprerjet janë një simbolik e debatit të ashpër në futbollin gjerman mes tifozëve të klubeve tradicionale dhe atyre të klubeve të reja që drejtohen nga një grup i investuesëve apo nga pronarë privat.
Protestat kanë shënjestruar Federatën e Futbollit të Gjermanisë (DFB) dhe vendimin e saj për t’u ndaluar për dy vite tifozëve të Dortmundit udhëtimin në ndeshjet kundër Hoffenheimit, pasi tifozët e Dortmundit kishin mbajtur banderola fyese ndaj pronarit të Hoffenheimit.
Mirëpo, ky vendim i federatës vetëm sa ka acaruar tifozët që po protestojnë haptazi për atë që e quajnë “ndëshkim kolektiv”.
Tifozët kanë marrë përkrahjen nga kapiteni i Koelnit, Jonas Hector, i cili foli pas fitores të së shtunës ndaj Schalkes, shkruan agjencia AFP të hënën, transmeton Koha.net.
“Pse duhet 20 mijë njerëz, që na përkrahin gjithë 90 minuta, të ndëshkohen për veprimet e pak vetëve?” – ka pyetur ai.
Zemërata kryesisht është adresuar te pronari i Hoffenheimit, Dietmar Hopp, që është kritikuar gjerësisht nga tifozët që ka anashkaluar rregulloret e ligës për pronësi të klubeve nga tifozët, në mënyrë që të investojë 350 milionë euro në një klub nga fshati, duke e ngritur deri në Bundesligë.
Banderolat fyese që kanë shënjestruar Hoppin kanë gjetur vendin në tribuna në javët e fundit.
Kryetari i Bayern Muenchenit, Karl-Heinz Rummenigge qëndroi përkrah Hoppit gjatë ndeshjes të së shtunës, duke tundur kokën dhe duke i bërë thirrje tifozëve të heqin banderolat.
Pas ndeshjes, Rummenigge, ka thënë se është thellësisht i turpëruar me sjelljen e tifozëve.
“Unë i kam kërkuar falje atij (Hoppit), por nuk ka arsyetim për atë që kanë bërë tifozët”, ka thënë Rummenigge.
Hopp të dielën ka thënë se nuk ka interes për t’u marrë me njerëzit që e kanë fyer në mënyrë të madhe gjatë viteve.
Derisa ai ka falënderuar lojtarët për qëndrimin që morën në ndeshjen e të shtunës, ai ka thënë se qëndrime të tilla duhet të merren ndaj të gjithë atyre që nxisin urrejtje.
“Fyerjet ndaj të gjithëve duhet të dënohen, pavarësisht se nga apo në çfrë forme. Gjithë fyerjet raciste e homofobike duhet të ndëshkohen me të gjitha masat e mundshme”, ka thënë Hopp.
Mirëpo, ka disa në futbollin gjerman që ndjejnë se ndërprerja e përkohshme apo braktisja e lojës, nuk është masa e duhur dhe vetëm se do të nxisë tifozët më tepër.
Kreu i Union Berlinit, Oliver Ruhnert, ndeshje te të cilës skuadër kundër Wolfsburgut të dielën u ndërpre për 10 minuta shkaku i banderolave fyese ndaj Hoppit, ka thënë se dëshiron të evitojë situatën ku duhet të ndërpritet çdo ndeshje.
“E shoh këtë situatë shumë kritike”, ka thënë ai.
Derisa ai insiston se banderolat e tilla që shënjestrojnë Hoppin nuk janë aspak të mira, ai beson se Federata e Futbollit të Gjermanisë duhet të veprojë në mënyrë më pak armiqësore dhe të prioritizojë hapjen e dialogut me tifozët.
“Tifozët kanë të drejtë që të kritikojnë në mënyrë objektive”, ka thënë ai.