Serbët në veri të Kosovës vazhdojnë të protestojnë para ndërtesave komunale në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok. Në vendkalimet kufitare ka bllokadë për kamionët që transportojnë mallra nga Serbia.
Serbët e veriut thonë se kërkesat ende janë të njëjta: tërheqja e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga ndërtesat komunale, pamundësimi i punës së kryetarëve të komunave të zgjedhur, siç thonë ata, “në mënyrë jolegjitime” në zgjedhjet e fundit dhe lirimi i të serbëve të arrestuar, raporton portali serb “radiokim”.
Qeveria e Kosovës ka marrë një vendim në bazë të të cilit ka lejuar hyrjen vetëm për automjetet që transportojnë mallra nga vendet tjera, pa marrë parasysh targat. Qarkullimi i udhëtarëve në të dy drejtimet po zhvillohet normalisht me kontroll të shtuar nga Policia e Kosovës.