Policia britanike po përpiqet që t’i shpërndajë njerëzit që po protestojnë para ndërtesës së kuvendit kundër masave kufizuese.
Policia metropolitane tha se protestuesit janë mbledhur në numër të konsiderueshëm në sheshin e kuvendit dhe se organizatorët nuk kanë dorëzuar dokumente për vlerësimin e rrezikut të tubimit.
“Kjo protestë nuk është përjashtim nga rregulla për gjashtë persona dhe nuk duhet të ndodhë”, shkroi policia metropolitane në Twitter.
Zyrtarët policorë thanë se po përpiqen t’i bindin protestuesit që të largohen nga kjo zonë, por do të veprojnë, nëse qytetarët nuk e respektojnë kërkesën e autoriteteve, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.
Nga fotografitë prej vendit të ngjarjes mund të shihet se disa arrestime tashmë janë kryer. Në mesin e të arrrestuarve ishte edhe pronari i një salle fitnesi, i cili refuzoi ta mbyllte biznesin gjatë izolimit të dytë mbarëkombëtar.
“Do të vazhdoj ta bëj këtë derisa të lirohem”, u dëgjua duke thënë pronari i sallës së fitnesit, Andreas Michli, përderisa po futej në një furgon të policisë.
Qeveria britanike së fundi e ka rritur numrin e zonave që janë nën masa më të rrepta për shkak të rrezikut nga shtimi i infeksioneve në sezonin e festave të fundvitit.