Dhjetëra qytetarë, në organizim të grupit të tifozëve “Plisat” kanë protestuar kundër dënimeve drakonike të grupit të shqiptarëve në rastin e njohur si “Kumanova” në Maqedoni.
Dënimi i disa kosovarëve nga Gjykata e Shkupit me burgim të përjetshëm dhe 33 të tjerëve me mbi 700 vjet burgim, është cilësuar si krejtësisht i padrejtë.
Në protestë kanë marrë pjesë dhe familjarë të të dënuarve. Fillimisht ata u mblodhën në sheshin “Zahir Pajaziti”, për të vazhduar më pas drejt Ambasadës së Maqedonisë në Arbëri, raporton Ekonomia Online.
Por, protestuesit nuk janë lejuar nga kordonet e policisë t’i afrohen më shumë se rreth 200 metra rrethojave të ambasadës së shtetit fqinj.
Kësaj proteste i janë bashkangjitur edhe deputetet e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu dhe Donika Kadaj-Bujupi.
Pas përfundimit të kësaj proteste deputetja Donika Kada-Bujupi ka deklaruar para medieve se Gjykata e Shkupit ka marrë vendim jo të drejtë. Sipas Kadaj-Bujupit të arrestuarit të grupit të Kumanovës janë keqtrajtuar dhe se të drejtat e njeriut janë shkelur në mënyrë çnjerëzore.
“VV ka reaguar menjëherë për këtë gjykim të padrejtë. Në Rastin Kumanova ka shkelje të drejtave të njeriut me të gjitha të drejtat ndërkombëtare”, tha ajo, raporton Ekonomia Online.
“Bëhet fjalë për një rast të montuar politikisht. Ne kërkojmë që ligji të jetë në rend të parë. Këta janë keqtrajtuar nga mënyrë jonjerëzore, kërkojmë hetim dhe rastet e montuara politikisht kanë ndodhur edhe më herët në Maqedoni dhe duhet të dënohen”, ka thënë ajo.