Këshilli organizativ i Kuvendit Kombëtar Shqiptar për Kosovën dhe Unioni Shqiptar i Shoqërisë Civile në bashkëpunim me qytetarë nga Kosova Lindore kanë protestuar kundër politikave të Serbisë ndaj vendbanimeve shqiptare në Medvegjë, Bujanoc e Preshevë, raporton Ekonomia Online.
Protesta ka nisur nga sheshi “Zahir Pajaziti” e deri para Qeverisë së Kosovës.
Dashamir Uruqi, kryetari i Unionit Shqiptar të Shoqërisë Civile, tha se situata e shqiptarëve në Luginë është shumë e rëndë, duke shtuar se vazhdimisht atyre po u shkelen të drejtat e njeriut.
Ai ka kërkuar që në dialogun Kosovë-Serbi të diskutohet për këtë pjesë. Ai ka bërë thirrje që Kosova Lindore të përkrahet në aspektin moral e ekonomik.
“Na ka bashkuar në këtë tubim fati i Luginës. Në këto vendbanime janë duke u shkelur në mënyrë të vazhdueshme të drejta e njeriut. Problemi kryesor qëndron te trajtimi i shqiptarëve në Serbi, ata janë të diskriminuar nga shteti serbi në sektori e shëndetësisë, situata është shumë e rëndë”.
“Lugina e Preshevës është vendi më i pa pazhvilluar. Të gjitha bisedimet e ardhshme Kosovë-Serbi të vihet në tryezën e bisedimeve të drejtat themelore të Kosovës Lindore. Të punohet me të gjitha format çështja e Luginës. Kosova Lindore ka nevojë për ndihmë morale, ekonomike e financiare”.
Linda Shaqiri, koordinatore e Kuvendit kombëtar shqiptar, tha se shteti serb po diskriminon qytetarët e kësaj pjese, prandaj edhe duhet që të gjithë të ngrisin zërin ndaj padrejtësive.
“Kjo pjesë ka mbetur padrejtësisht e ndarë. Shteti serb po bën diskriminim ndaj tyre, ne sot i themi ndal. dhe të gjithë së bashku të ngremë zërin ndaj këtyre padrejtësive. Unë si një qytetare e Medvegjës kërkoj të drejtën dhe lirinë që na takon të gjithëve”.