Me moton “Ndërtesat janë tuajat, jeta është e jona” organizata joqeveritare “Beyond the Wall” ka protestuar, pas rasteve të shumta të vdekjeve në vendin e punës në ndërtimtari, raporton Ekonomia Online.
Protestuesit janë nisur nga sheshi “Zahir Pajazit” për të vazhduar deri te ndërtesa e Qeverisë me 93 helmeta për rastin e çdo të vdekuri në vendin e punës. Helmetat u vendosën në rrethojat e ndërtesës së Qeverisë.
Kushtrim Ahmeti, organizator i protestës, tha se secili rast që zbardhet, helmeta largohet nga rrethojat e Qeverisë. Dhe se për çdo të vdekur në vend të punës shtohet një helmetë në rrethojat e ndërtesës së Qeverisë.
“Na i kemi pru këtu 93 helmeta me numra, janë numri i vdekjeve në vendet e punës për më pak se 5 vite. Këto 93 helmeta do të shtohen në qoftë se ka numër tjetër të vdekjeve në vendin e punës, për secilën vdekje të re do të shtohet një helmetë me numër të ri, e nëse zbardhet do të hiqet një helmetë”.
“Nëse qeveria ose dikush tjetër vendos t`i largojë këto helmeta pa lejen tonë atëherë ata llogariten bashkë kriminelë, bashkë fajtorë me përgjegjësitë për rastet e vdekjeve në vendin e punës. Protesta jonë është diçka që me iu rrit një vetëdije dhe me iu rrit një bashkëpunim qytetarë që me pa se momentalisht gjendja e punëtorëve është gjendje e mjerueshme”.
“Do të vazhdojmë edhe me aksione tjera e ato nuk, besoj që kanë me qenë kaq paqësore”, paralajmëroi Ahmeti.
Ndërsa Jusuf Azemi, kryetar i Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat (SPSPK), tha se ndonëse kanë ofruar zgjidhje për zvogëlimin e vdekjeve të punëtorëve, qeveria nuk është interesuar për këtë çështje.
“Numri i cili është për nëntë muaj 18 raste është numër rekord pas luftës dhe për këtë i kemi ofruar modalitetet që të dalim dhe ti inspektojmë kompanitë që t`i edukojmë edhe pronarët e kompanive por ti edukojmë edhe punëtorët mirëpo shteti nuk e ka treguar as interesimin më të vogël dhe jemi këtu ku jemi”.