Në hapje të “Javës së Egjiptasve”, u mbajt protestë paqësore me qëllim të adresimit të kërkesave për institucionet shtetërore në përmbushjen e obligimeve kushtetuese dhe ligjore për këtë komunitet, raporton EkonomiaOnline.
Smajl Dema organizator i kësaj proteste tha se kërkojnë të drejtat e tyre duke shtuar se të gjithë janë të njëjtë dhe se shqiptarët janë pakicë diku tjetër ashtu si komuniteti egjiptian në Kosovë.
Ai ka treguar se çfarë do të thonë pankartat të cilat mbaheshin në duar nga protestuesit e tjerë.
“Është çudi kur dëgjojmë se duhet të integrohemi në BE, e unë them se duhet të integrohemi fillimisht me veten, me njëri-tjetrin të solidarizohemi dhe të na pranojnë ashtu siç jemi.
Dua punë e jo lëmoshë. Krej cka dua është punë. Kërkojmë nga institucionet trajtim të barabartë me të tjerët dhe të mos jetë rroba ime shkak që të mos punësohem.
Stop diskriminimit. Ngjyra ime nuk është asgjë më shumë se ngjyra jote e as pamja, sepse edhe ju jeni pakicë në ndonjë vend tjetër të Evropës apo botës. Edhe sa vite duhet të kalojnë e që unë të mos diskriminohem më, duke më quajtur “magjup” e “gabel”.
Dua përfaqësim dinjitoz. Nuk dua që të ma rrah krahun para syve vetëm pse ma njeh dajën apo një familjar tjetër. Meritojmë të jetojmë dinjitetshëm.
Dua të jem polic dhe një ushtar i mirë. Unë mund të jem ushtar i mirë, prandaj më jepni një mundësi që ta tregoj veten në këtë aspekt.
Dua të kthehem në Kosovë, mjaft qëndruam refugjatë. Prona ime është e imja, stop uzurpimit.
Ne nuk jemi barrë për shtetin, jemi pasuri. Edhe ne mund të jemi ideatorë në shtetformim e jo barrë sic po na shihni.
Jam egjiptian, nuk jam RAE. Nuk mund të identifikohem si RAE, ky është diskriminimi më modern që po ndodhë në insitucionet dhe mediat. Kur do ta kuptoni se unë jam egjiptian, kam traditat e mia, zakonet që më bëjnë të dalloj nga komuniteti Ashkali e ai Rom”.
Deputeti Veton Berisha i cili ishte i pranishëm tha se janë pasuri e Kosovës.
Në emër të kryeministrit, i pranishëm ishte koordinatori nacional për reforma shtetërore, Besnik Tahiri.