Specialistët e papunë të Stomatologjisë kanë protestuar para ministrisë së Shëndetësisë (MSh), raporton Ekonomia Online.
Për shkak të pandemisë u tha se nuk do të ketë numër të madh të protestuesve.
Para dyerve të MSh-së protestuesit kanë vendosur mbishkrim “Diskriminim”, por që ua ka hequr sigurimi i kësaj ministrie.
Mirjeta Berisha-Dobraj organizatore e protestës ka thënë se po presin që të takohen me ministrin, po që akoma nuk kanë marrë përgjigje.
“Arsyeja e protestës është se asnjë ministër s’na ka përfshirë në konkurse. Ne jemi të diskriminuar. S’ka asnjë vend për neve”.
“Ne kemi bërë një shkrim simbolik që njerëz të pashkollë kanë tentuar të na heqin. Ne kemi ardhur vetëm një pjesë e njerëzve që kemi mbetur në rrugë”.
Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës, me mbështetje të Qeverisë së Kosovës dhe Ministrisë së Shëndetësisë, ka shpallur konkursin për pranim të specialistëve të papunë.
Publikimi i konkursit është bërë në bazë të kërkesave nga klinikat e QKUK-së, por edhe spitalet e përgjithshme, ndërsa është marrë për bazë shpërndarja racionale e specialistëve në të gjitha rajonet e Kosovës.
Për herë të parë ShSKUK në konkurs ka përfshirë pranimin e specialistëve për Spitalin e Përgjithshëm në Podujevë. Aplikimi mund të bëhet nga data 18 nëntor deri me 2 dhjetor.