Protestojnë punëtorët e KEK-ut, kërkojnë rritjen e pagave dhe pagesën e rrezikshmërisë

Prishtinë | 24 Tet 2024 | 10:51 | Nga Futruna Zejnullahu

Sindikata e Re e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) ka protestuar para zyrave të KEK-ut në Prishtinë, raporton Ekonomia Online.

Protestuesit kanë kërkuar rritjen e pagave, pagesën e rrezikshmërisë për ata që punojnë në kushte të vështira dhe pagesën e fundjavës për punëtorët me ndërrime.

Kryetari i Sindikatës së Re Korporatës Energjetike të Kosovës, Nexhat Llumnica, tha se ngritja e pagave është e domosdoshme për mirëqenien dhe drejtësinë e punëtorëve. Ai ka paralajmëruar hapa të tjerë sindikalë nëse nuk ka përmirësime konkrete në këtë drejtim.

“Sot jemi këtu për kërkesat tona që i kemi bërë që nga fillimi i vitit, pra faktikisht që nga viti 2011 kur është ligji i punës, kemi kërkuar ngritjen e pagave sepse nga viti 2018 deri më tani inflacioni është mbi 30% kurse pagat janë ngritur vetëm me 70 euro. Kemi kërkuar për ngritjen e pagave për arsye se tregu i punës në Kosovë ka ndryshuar”.

“Kërkesa tjetër është pagesa e rrezikshmërisë ne në Korporatën Energjetike të Kosovës i përcjellim në botën tjetër 30 punëtorë në vit mesatarisht, nuk ka vend në Kosovë as në Evropë që ka rrezikshmëri më të lartë se sa punëtorët e KEK-ut. Paramendojeni një kompani më e fuqishmja në Kosovë ku nuk e respekton ligjin e punës, çfarë po presim nga të tjerët, të gjitha shtetet e botës punojnë për zbatimin e ligjit e në Kosovë po duhet me protestuar për zbatimin ligjit”.

“Ne nuk do të ndalemi derisa ta realizojnë këto qëllime minimale e ligjore, do të vazhdojmë me protestë e me grevë deri në realizimin e këtyre qëllimeve sepse kjo është e jona e jo e këtyre këtu”, tha Llumnica.

Kryetari i Federatës Sindikale të Trepçës, Ibrahim Januzi, tha se solidarizohen shprehur me punëtorët e KEK-ut dhe se kërkesave të tyre janë të arsyeshme.

“Unë sot jam këtu për të shprehur solidaritetin me ju për kërkesat e të drejtave, legjitime për të cilat menaxhmenti juaj nuk është duke i përmbushur obligimet ligjore që prodhojnë nga marrëdhënia e punës, konkretisht nga ligji për siguri dhe shëndet pune, siç është rrezikshmëria e vendit të punës poashtu edhe pagesa për ditët e vikendit, prandaj edhe ne si Sindikata e Minatorëve shprehim solidaritet të plotë me ju për kërkesat legjitime dhe i bëjmë thirrje menaxhmentit tuaj që t’i marr për bazë kërkesat e vet punëtorëve dhe vet sindikatës”, tha Januzi.

Punëtorët e KEK-ut, treguan se punojnë në kushte të vështira e ku u ankuan se pagat janë të ulëta ndonëse janë industri profitabile.

Ata thanë se nuk do të tërhiqen nga protestat, por nëse nuk merren parasysh kërkesat e tyre do të hyjnë edhe në grevë.

“Punojmë në kushte jashtëzakonisht të vështira, kemi dalë për kërkesat tona legjitime për ngritjen e pagave duke pasur parasysh inflacionin ku ka arrit që kanë mbetur pagat tona thuasje me konkurrencën e firmave private që po shkon paga përmbi 1000 euro ose njëmijë e pesëqind euro. Duke pasur parasysh se në çfarë kushtesh punojmë dhe jemi industri priftabile që i dhëmë qeverisjes, shtetit para. Jemi të pa lëkundur, jemi të vendosur, nuk tërhjekum mbrapa, kërkojmë mirëkuptim nga menaxhmenti, nga bordi sepse ne jemi të Kosovës, nuk jemi të Beogradit, qe 25 vite e dha mundin për prodhimin e Energjisë Elektrike”.

“Nuk ka zgjedhje deri më tani nga menagjmenti po presim në të ardhmen që do të na ofrojnë mundësi me ngritje të pagave përndryshe protestat nuk do ti ndalim ndoshta mund të vijë puna që do të shkojmë në grevë sepse e kemi me ligj koonform rregullore që nuk do të dalim prej ligjit”.

“Prej kësaj proteste po pres ndoshta marrim masa se me të vërtetë i kemi punët shumë keq, kushtet janë katastrofale, neve po na e bëjnë shumë lehtë punën po shumë më rënd e kemi na. Jemi të rrezikuar prej shumë seneve, prej shumë ngjarjeve ka gazra shumë, jemi vjetërsuar punëtorë nuk ka, shumë problem e kemi, unë qe 39 vite punojë po vjen tash koha për me dal në pension me 100 euro, kah me ja mbajt na, IshaAllah Qeveria mbledh pak mend”.

Të ngjashme