Protestojnë punëtorët shëndetësorë, kërkojnë kushte më të mira

Prishtinë | 29 Mar 2017 | 09:00 | Nga Kaltrina Zymberi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Punëtorët shëndetësorë kanë mbajtur protestën paralajmëruese para institucioneve publike shëndetësore për të kërkuar të drejtat e tyre.

Ata po kërkojnë kushte më të mira të punës, rritje pagash, kthimin e ligjit për paga në bazë të koeficientit, investimi në pajisje e material harxhues, raporton Ekonomia Online.

Kryetari i sindikatës së QKUK-së, Xhemajl Selmani, ka thënë se kanë qenë të detyruar të ndërpresin punën për një orë që të mbajnë këtë protestë për të shprehur pakënaqësinë e tyre.

“Ne nuk po trajtohemi dinjitetshëm nga kjo Qeveri, po na duhet të ballafaqohemi çdo ditë me pacientët dhe qytetarët e pafajshëm që vijnë të marrin shërbime kur duhet të themi se s’ka ilaçe apo s’mund të kryhet një shërbim. Prandaj u detyruam të dalin në protestë që të kërkojmë kushte të punës, investim në shëndetësinë publike e rritje pagash”, ka thënë ai.

Majde ai tha nëse kushtet e tyre nuk plotësohen dhe nuk gjejnë bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Qeverinë e Kosovës, protesta do të kalojë në forma tjera. Halli i tyre është edhe gjendje shëndetësore e pacientëve.

“Halli ynë janë edhe pacientët, madje po frikësohemi që do ketë edhe jetë të humbura dhe kjo gjendje do të kalojë sikurse protesta e mjekëve që ka qenë në Zagreb”, është shprehur Selmani.

Edhe specializantët të cilët janë të angazhuar me kontratë mbi vepër kanë shprehur shqetësimin e tyre për parregullsi në konkursin e fundit të specializantëve.

“Ne si grup i specialistëve që jemi të angazhuar me kontratë mbi vepër kërkojmë që numri i cili është diku 250 me kontrata të cilat janë parapa në korrik të vitit të kaluar me vendim të qeverisë dhe kryeparlamentarit. Kështu që në konkursin e fundit janë bërë shkelje drastike lidhur me vendimet dhe pozicionimet e specialistëve nëpër klinika dhe regjione, ne kemi një statistikë që një numër diku prej 70 personave do të mbesin prapë jashtë sistemit dhe kërkojmë që ky grup të sistemohet si është paraparë me kërkesa të klinikave”, ka thënë specializanti Amir Veseli.

Kjo protestë është paralajmëruar ditë më parë përkundër që u zhvillua një takim me ministrin e Shëndetësisë, Imet Rrahmanin, por nuk kanë arritur të marrin premtime për realizimin e të gjitha kërkesave.

Protesta e sotme është vetëm paralajmëruese pasi krerë të sindikatës kanë paralajmëruar grevë të përgjithshme nëse nuk do të merren parasysh kërkesat e tyre.

 

Të ngjashme