Iniciativa e Pavarur e të Verbërve, po protestojnë para objektit të Qeverisë e Kuvendit, ku ka kërkuar zbatimin e kornizës ligjore për nevojën e veçantë, me theks të veçantë për normat ligjore që sigurojnë punësimin e tyre.
Halil Kurmehaj, nga kjo iniciativë tha se nuk kërkojnë lëmoshë por dinjitet, punësim si dhe respektim të ligjit.
“Ne kërkojmë respektim të ligjit, asgjë më shumë. Ne kemi nevojë për dinjitet, jo për lëmoshë. Të gjithë ne jemi të shkolluar por nuk punojmë. Po respektohet vetëm një normë e ligjit”.
Mimoza Zejnullahu nga Vitia, e cila punon në një qendër mjekësore, tha se ka dal në protestë për tu solidarizuar.
“Pasi kam humbur të pamurit, gjatë rehabilitimit komuna ime më ka punësuar. Rasti im duhet të shërbejë si model, pasi të gjithë këta janë të shkolluar”.
Protestuesit kanë kërkuar nga policia që t’i lejojnë të hyjnë në Kuvend dhe të takohen me kryetarin e Kuvendit ose dikë nga komisioni parlamentar për të Drejtat e Njeriut.
Dy përfaqësuesit e protestuesve i ka pranuar në takim deputetja Saranda Bogujevci, anëtare e komisionit për të Drejtat e Njeriut. Pastaj janë lejuar të hyjnë edhe protestuesit tjerë që po qëndronin para Kuvendit.