Egzon Hajdari nga organizata “Përpjekja” u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen protestës për të kundërshtuar rritjen e çmimit të energjisë elektrike dhe për të paraqitur tri kërkesa kryesore, e që një nga to thekson të jetë që KEDS t’i kthehet shtetit, raporton Ekonomia Online.
Hajdari para objektit të Qeverisë bashkë me qytetarët protestues, tha se ndonëse Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) u krijua për të rregullojë çmimet energjetike, megjithatë ky bord ka aprovuar kërkesat e KEDS.
“I vetmi rol që ka luajtur ZRRE në këtë rast, është aprovimi i kërkesave të KEDS. Kërkojmë nga të gjithë qytetarët që të bashkohen edhe në protestat e radhës edhe më shumë, edhe më fortë që t’i bëjmë tri kërkesa të qarta. Kërkesa e parë imediate, e menjëhershme, duhet të jetë parandalimi i rritjes abuzive të çmimit nga KEDS sepse qytetarët nuk ia kanë borxh fitimin KEDS-it. Kërkesa e dytë, menjëherë pas konstituimit të kuvendit dhe qeverisë duhet të shkarkohet bordi i ZRRE-së i cili po i shërben KEDS-it dhe jo qytetarëve. Kërkesa e tretë, duhet të fillojë të hapet debati dhe të fillojë procesi i shtetimit të KEDS-it. KEDS-i duhet t’i takojë popullit”, tha ai.
