Proton – shembull i një sipërmarrjeje të suksesshme, të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse

Prishtinë | 15 Nën 2022 | 14:20 | Nga Ekonomia Online

Shkalla e lartë e papunësisë vazhdon të jetë një nga barrierat kryesore të Kosovës sa i përket zhvillimit ekonomik. Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, pjesëmarrja në fuqinë punëtore në Kosovë është ndër më të ulëtat në rajon, me një shkallë pjesëmarrjeje prej 39 përqind gjatë pesë viteve të fundit (Analiza e Punësimit dhe e Tregut të Punës – Riinvest). Shkalla e papunësisë është sidomos e lartë tek gratë dhe të rinjtë.

Për të nxitur punësimin, për të rritur përfshirjen sociale dhe për të krijuar modele të qëndrueshme të sipërmarrjes, në vitin 2020 Bashkimi Evropian në Kosovë lansoi projektin ‘Nxitja e punësimit të grupeve të pafavorizuara dhe rritja e konkurrueshmërisë globale të industrisë së instalimeve elektrike në Kosovë në përputhje me parimet e qëndrueshmërisë dhe zhvillimin social gjithëpërfshirës.’

‘Proton’, kompania prijëse prodhuese e kabllove në Kosovë, me seli në Prizren, ishte përfituesja kryesore e projektit, duke marrë makineritë moderne të automatizuara që nevojiten për prodhimin e kabllove me komponime mbështjellëse dhe pa halogjen.

Sipas Besim Didës, Menaxher Marketingu në Proton Cable Factory, ndihma e ofruar nga BE-ja e bëri Proton-in kompani të parë në rajon që prodhon kabllo pa halogjen. “Kabllot pa halogjen që po prodhojmë tani plotësojnë standardet e sigurisë të BE-së dhe janë në kërkesë të lartë në tregjet evropiane. Kabllot përdoren në ndërtesa të ndryshme si shkolla, spitale, aeroporte e të tjera dhe parandalojnë aksidentet e shkaktuara nga djegia e kabllove” – thotë Dida.

Sipas tij, granti i siguruar nga BE-ja ishte stimul i fuqishëm për kompaninë, pasi filluan të eksportonin në BE dhe vetëm në vitin 2022, shitjet e tyre u rritën me 500%, duke rezultuar në 2.5 milionë euro shitje, në nivel lokal, rajonal dhe tregje evropiane.

Por granti i marrë nga BE jo vetëm që rriti shitjet e kompanisë, por rriti punësimin dhe kapacitetet e 129 personave, duke përfshirë komunitetet jo-shumicë. Falë mbështetjes së ofruar u trajnuan 129 persona, nga të cilët 18 gjetën punësim të menjëhershëm në Fabrikën e Kabllove Proton. 50 prej tyre përfunduan praktikën, ndërsa 64 të tjerët rritën aftësitë e tyre dhe gjetën punë në kompani të tjera.

Serhat Morina, që vjen nga komuniteti turk që jeton në Kosovë, ishte një nga pjesëmarrësit në trajnimin për instalimet elektrike dhe përdorimin e kabllove pa halogjen. Ai tani është punësuar në Fabrikën e Kabllove Proton dhe thotë se është shumë i kënaqur me aftësitë e fituara dhe mundësinë e punësimit. “Trajnimi më ndihmoi shumë për të rritur aftësitë e mia, ndërsa mundësia e punësimit më mundësoi t’i aplikoja në një ambient pune me pajisje moderne. Ndihem i lumtur dhe i fuqizuar me zotërimin dhe aplikimin e këtyre aftësive, që mendoj se do të kenë ndikim të madh në të ardhmen time”, përfundoi Morina.

Një tjetër punonjëse që ka gjetur punë në kompani është Dilek Dadihak, e cila punon si
administratore.

“Duke qenë pjesëtare e komunitetit turk, kam pasur ca dyshime në fillim, kur fillova të punoja në kompani. Por doli që dyshimet e mia ishin të gabuara, pasi të gjithë kolegët më pritën shumë mirë dhe vazhdojnë të më mbështesin në avancimin e aftësive të mia të punës. Gjithashtu, falë punësimit në kompani, kam filluar të mësoj dhe të praktikoj gjuhën shqipe dhe ky është gjithashtu një hap i madh për rritjen time profesionale dhe personale”, thotë Dadihak.

Që nga viti 2013, Bashkimi Evropian në Kosovë ka investuar mbi 8 milionë euro për të ndihmuar në krijimin e vendeve të punës në Kosovë. BE-ja do të vazhdojë të mbështesë projektet që krijojnë vende të reja pune dhe nxisin zhvillimin ekonomik të Kosovës.

Të ngjashme