Provat e Policisë për armën dhe drogën në veturën e djalit të Shpend Maxhunit

Prishtinë | 23 Tet 2018 | 18:30 | Nga Ekonomia Online

Shumë faqe raporte kanë përshkruar veprimet e policisë natën e 12 tetorit, kur Shpëtim Maxhuni, djali i shefit të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI) Shpend Maxhuni, u ndalua në fshatin Zllatar të Prishtinës.

Në një raport të gjatë të cilin policia e ka dërguar te prokurori e të cilin e ka siguruar Kallxo.com përshkruhen momentet kur policia ndaloi makinën dhe detajet se ku u zbulua arma e cila u konfiskua atë natë.

Në makinë, sipas policisë, po udhëtonin Shpëtim Maxhuni që është djali i Shpend Maxhunit, Selim Ramadani dhe Arlind Kosumi.

Raporti saktëson se policia e kishte ndaluar veturën Golf 4 dhe gjatë bastisjes në jaknën e djalit të Shpend Maxhunit kishte zbuluar revolen e tipit “Zastava” me katër fishekë.

Provat në lëndë saktësojnë se Maxhuni nuk ka mohuar se jakna është e tij dhe revolja ishte gjetur brenda saj. Ai ka thënë në deklaratën në polici se revolja ishte e mikut të tij i cili e kishte harruar në makinë disa orë më parë.

Këtë deklaratë e kishte plotësuar edhe i dyshuari Selim Ramadani i cili kishte shkuar në polici ku kishte pranuar se revolja është e tij dhe se të njëjtën e kishte gjetur disa ditë më parë në parkun e gërmisë nën një ulëse. Ai kishte pretenduar se revolja ishte një shkrepëse.

As Maxhuni e as Ramadani nuk kanë dhënë detaje para policisë se pse armën ilegale nuk e kishin raportuar në polici po kishin vendosur ta bartnin në makinë e në rrobat e tyre.

Djali i Shpend Maxhunit madje ka rrëfyer në polici se revolen ilegale do t’ia kthente shokut të tij kur ai të kthehej prej dajallarëve.

“Nuk e kam njoftuar për arsye që i njëjti më ka njoftuar se po shkon tek dajtë në Istog dhe e kam lënë që kur të kthehet t’ia jap”, ka deklaruar Maxhuni në polici.

Kallëzimi penal është më i qartë sesa komunikata e policisë e lëshuar ditën kur u publikua lajmi për djalin e Maxhunit. Atëkohë komunikata kishte treguar që në veturën ku po lëviznin tre persona përfshirë të dyshuarin Shpëtim Maxhuni është gjetur një revole por pa e saktësuar se Shpëtim Maxhuni kishte pranuar se revolja ishte në jaknën e tij dhe ai kishte plan t’ia kthente mikut të tij.

Droga në makinë

Detaje të tjera në kallëzim penal përshkruajnë konfiskimin e materialeve të dyshimta si narkotikë dhe mjete që përdoren për të përpunuar marihuanën para konsumimit.

Një mulli për bluarjen e drogës, një thikë dhe një cigare e dyshuar për marihuanë ishin konfiskuar gjatë kontrollit të makinës Golf 4.

Gjithmonë sipas dëshmive të siguruara nga Kallxo.com, djali i Maxhunit kishte pranuar se thika është e tij personale dhe se i ishte nevojitur “për ndonjë punë e për asgjë tjetër”.

Dosja e policisë pretendon se në dyshemenë e prapme të veturës ishte zbuluar një cigare dhe një mulli për bluarjen e marihuanës.

Substanca, sipas kallëzimit penal, i përket Arlind Kosumit. Hetimi i kësaj çështjeje është bartur tashmë në njësinë e antidrogës.

Deklaratat

Në dëshmitë që tre të dyshuarit, Shpëtim e Rinor Maxhuni dhe Arlind Kosumi kanë deponuar në polici dhe të cilat i ka siguruar Kallxo.com thuhet se që të tre kanë pranuar veprat për të cilat i janë ngarkuar por kanë dhënë versione të ndryshme për motivet.

Djali i drejtorit të Inteligjencës Shpend Maxhuni, në polici kishte deklaruar se para orës 17 kishte qenë me njërin nga të dyshuarit Rinor Maxhuni dhe më pas ishin ndarë.

Rreth orës 21:00, djali i Maxhunit së bashku me dy shokë të tjerë kishin blerë gjëra ushqimore dhe kishin ndaluar në fshatin Zllatar për të ngrënë ushqim.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme