Partia Socialdemokrate përmes një aksioni simbolik kanë gjuajtur me qershia kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, raporton Ekonomia Online.
Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj tha se kryeministri ka ngrënë fjalët e tij derisa ka nënshkruar një marrëveshje të dëmshme për Kosovën
Aksioni u quajt “Një grusht qershi për kryeministrin”. Megjithatë, nën masa të sigurisë dhe me ombrellë, kryeministri hyri në amfiteatrin e ish-Rilindjes, ku në një takim me qytetarë, do ta prezantojë buxhetin 2023.
Ata kanë hedhur qershi edhe para hyrjes së ndërtesës së Qeverisë, në shenjë proteste për marrëveshjen për targat.
Lidhur me rastin ka ndërhyrë edhe Policia e Kosovës, bashkë me mbrojtjen e afërt të kryeministrit Kurti.
Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, para mediave ka thënë se aksionet e tyre nuk do të ndalen.
“Natën ka nënshkruar marrëveshje vartësi i tij i cili ka pranuar krejt marrëveshjet që i kemi kundërshtuar së bashku dhe të cilat janë të dëmshme për Kosovën. Fakt që kryeministri i Kosovës tenton të hyjë fshehtas në një takim publik me Polici të Kosovës, tregon çfarë marrëveshje ka bërë dhe sa të dëmshme ka qenë. Aksionet tona nuk do të ndalen, pasi këto marrëveshje janë të dëmshme”, ka thënë ai.