14 vite pas protestës së 10 Shkurtit (2007), nuk gjejmë as edhe një germë nga qëllimi për të cilën u protestua. Qytetarët atë ditë kundërshtonin ndarjen mundshme të vendit mbi baza etnike dhe rrezikun e përjetësimit të problemit politik me Serbinë, përmes mekanizmave të asociacionit.
Por ky plan nuk takon ende në të kaluarën. Sot, kur puna e parë që e pret Qeverinë e re janë negociatat, askush nuk di saktësisht cili është pozicionit i saj në këto negociata. Për çka sot qëndron kjo parti e cila as në komunikatën e homazheve për Monin e Arbenin nuk i përmend arsyet politike të rezistencës?
Drejtësia e munguar për Mon Balajn e Arben Xheladinin nga Misioni i UNMIK-ut, prek dy dimensione: atë të të drejtës për protestë dhe aspektin politik të kërkesës. Por sot as në nivel deklarativ, e as në atë të veprimit politik nuk shohim që kërkesat e protestës janë në ligjërimin e Kurtit për këtë çështje. Pastrimi i gjuhës është paralajmërim.
Homazhet si vajtim, pa revoltë e mision politik në ndaljen e ndarjes etnike, e kthejnë çështjen politike vetëm në dhimbje për trupat, e Monin e Arbenin në viktima. Simbolizmat e zbrazur nga aksioni politik janë rituale për kompensim. Përkulja para 10 Shkurtit sot është më tepër homazh për kauzën e braktisur.