Partia Socialdemokrate ka dorëzuar në Prokurori kallëzim penal kundër pagesë shtesë prej 5 euro me rastin e regjistrimit të veturave, raporton Ekonomia Online.
Krejt kjo ngase nga një shtatori qytetarët do të detyrohen të paguajnë 4 euro e 90 cent shtesë për tiketën ngjitëse.
Kjo pasi ministria e Infrastrukturës dhe kompania “Auto Control Kosova”, ka nënshkruar marrëveshje më qëllim të konfirmimit të kontrollimit teknik të automjeteve.
Kryetari i kësaj partie, Dardan Molliqaj tha se marrëveshja është në dëm të qytetarëve dhe se Qeveria duke favorizuar bizneset po bën vepër penale.
“Një tiketë e tillë është zhvatje ndaj të mirave materiale të Kosovës. Kjo Qeveri po favorizon bizneset e mëdha private, ka vepër penale në këtë rast”.
Kurse Dren Kukaj, tha se rrjedha procedurale e marrëveshjes përbën keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe se komplet marrëveshja është e panevojshme dhe e dëmshme.
Prandaj ai i ka bërë thirre Prokurorisë ta hetojë këtë rast, raporton EO.
“Marrëveshja inkriminon Hysen Durmishin, rrjedha procedurale që i ka parapri kësaj marrëveshje ka keqpërdorime. Vet marrëveshja është e panevojshme, sepse qytetarët detyrohet të paguajnë”.
“…është krijuar një monopol abuziv. I bëjmë thirrje Prokurorisë që të ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore. Marrëveshja është dëmshme”.