Partia Socialdemokrate (PSD) ka ndërmarrë një aksion në ambientet e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE), ku ka shkruar me ngjyrë sloganin “Dorëheqje”. PSD ka kërkuar dorëheqjen e Bordit të ZRRE-së pas vendimit të Gjykatës së Apelit, duke thënë se dorëheqja është akti më i pakët në këtë plaçkitje ordinere.
Nol Nushi nga PSD-ja ka thënë se Kosova më shumë ka eksportuar energji sesa që ka importuar, dhe qytetarët kanë paguar tarifa më të shtrenjta ani pse të gjithë energjinë e ka prodhuar KEK-u pa e rritur çmimin e shitjes
“Sot, ZRrE-së ia përkujtuam që shkelja e ligjit bart pasojat e veta. Dorëheqja është veprimi që do të duhej të ndërmerret. Ndryshe do të duhet të pasojë shkarkimi. E nëse as ky nuk vjen, skandali i rritjes së çmimit të rrymës përfshinë akterët kryesor qeveritar, nga kryeministri e ministrat, e deri tek zyrtarët e ZRrE-së”.
“Çmimi i energjisë elektrike, qysh prej shkurtit, është bërë i papërballueshëm për qytetarët. Ai ishte e padrejtë dhe i paligjshëm sepse përgjatë gjithë këtyre muajve, Kosova më shumë ka eksportuar energji sesa që ka importuar, e ne kemi vazhduar të paguajmë tarifa më të shtrenjta anipse të gjithë energjinë e ka prodhuar KEK-u pa e rritur çmimin e shitjes. Edhe në këto kohëra të konsumit të ulët të energjisë, vendimi i paligjshëm, i rrëzuar nga Gjykata Themelore dhe ajo e Apelit, vazhdon të na faturoj më shtrenjtë”.
Tutje Nushi shtoi se KEDS nuk e ka humbur fitimin e kjo i ka kushtuar qytetarëve të këtij vendi.
“Në ndërkohë, subvencionimi prej 100 milionë eurosh që qeveria i ka bërë KEDS-it vazhdon të mbetet nën hije. Nuk e dijmë as sa janë japë as kur as si. E dijmë vetëm që KEDS nuk e ka humbur fitimin e kjo i ka kushtuar qytetarëve të këtij vendi”, tha ai.