Partia Socialdemokrate ka filluar mbledhjen e nënshkrimeve për peticionin qytetar për faljen e gjobave të pandemisë, raporton Ekonomia Online.
Nol Nushi, nga kjo parti tha se synojnë që të mbledhin mbi 10 mijë nënshkrime në mënyrë që të procedohet për në Kuvend, peticioni.
Në kërkesën e tyre përveç faljes së borxheve për qytetarët, ai ka bërë të ditur se kanë kërkuar edhe faljen e borxheve për bizneset.
AI thotë se janë shqiptuar 200 mijë gjoba, e që i bije mbi 10 milionë euro.
“Është shumë e rëndësishme me cek që ky nuk është peticion thjesht për të parë se sa janë qytetarët të kënaqur apo të pakënaqur nga këto gjoba, por ne si qytetarë kemi shkruar projektligj të ri ku me minimumi 10 mijë nënshkrime që të procedohet në mbledhjet e Kuvendit të Kosovës, pra e kemi një ligj të ri, ku parashihet falja e gjobave nga data 15 mars 2020 deri në 15 mars 2021”.
“Poashtu do të parashihet falja e gjobave edhe për bizneset e mesme dhe të vogla, sepse 200 mijë gjoba janë shqiptuar që i bien mbi 10 milionë euro. Prandaj ato gjoba duhet të anulohen dhe qytetarëve duhet tu kthehen paratë, sepse nuk ka logjikë që të mos bëhet”, tha Nushi.
Ligji për pandeminë Covid-19 ka hyrë në fuqi më 26 gusht të viti të kaluar e që nga ajo kohë Policia ka shqiptuar një numër të madh të gjobave për qytetarët që nuk kanë respektuar masat anti-Covid.
Dënimet për qytetarë bazuar në Ligjin për Pandeminë nisin nga 35 euro e deri në 2 mijë euro.