Një nga pesë kushtet që do e siguronte votën e Partisë Socialdemokrate për miratimin e buxhetit për vitin 2019 ishte edhe Projektligji për Qeverinë përmes së cilit kërkuan që të ulet numri i zv. ministrave.
Deputetja e PSD-së, Shqipe Pantina, ka thënë për Ekonomia Online se nëse Projektligji për Qeverinë nuk e trajton zvogëlimin e numrit të zv. ministrave atëherë grupi parlamentar që ajo përfaqëson do të krijojë amendament përmes së cilit do të kërkojnë që asnjë ministri të mos i ketë më shumë se dy zv. ministra.
“Unë besoj që edhe deputetët tjerë do të votojnë amendamentin që ne do e bëjmë sepse nëse nuk parashihet kështu në leximin e parë do e shtrojmë si amendament dhe do e kërkojmë votën e gjithë deputetëve”, tha ajo
Pantina mes tjerash ka thënë që do të insistojnë që Projektligji për qeverinë të vijë në mars.
“Sa i përket njërës nga kërkesat që ende nuk është realizuar në plotëni e që është Projektligji për Qeverinë ai sipas zotimit të kryeministrit duhet të vijë në Kuvend brenda 3 muajve, e që presim që gjatë muajit mars të vijë për shqyrtim në Kuvend. Ende nuk e kemi pa përmbajtjen e draftit të këtij projektligji, por ne do t’i parashtrojmë vërejtjet dhe komentet tona, por kërkesa kryesore ka qenë të zvogëlohet, gjegjësisht të sanksionohet numri i zv. ministrave, i cili më së shumti mund të ketë dy zv. ministra. Jo të gjitha ministritë duhet të kenë dy zv. ministra, por asnjë ministri të mos i ketë më shumë se dy zv. ministra”, tha ajo, për Ekonomia Online.
Pantina ka thënë që do të diskutohet edhe numri i ministrive si dhe numri i këshilltarëve në këto të fundit.
“Një çështje tjetër që duhet të diskutohet në këtë projektligj është edhe numri i ministrive, por edhe këshilltarëve në secilin ministri. Në strategjinë legjislative të Qeverisë ende nuk e kemi shqyrtuar në detaje, por me sa pash është paraparë që të vijë deri në qershor, por kjo nuk do të thotë që do të pritet deri në qershor. Zotimi i kryeministrit ka qenë se do të vijë brenda 3 muajve, kështu i bie që të vijë në muajin mars. Kështu që ne do të kërkojmë nga Qeveria që ta procedoj në muajin mars”, tha ajo, raporton Ekonomia Online.
Ditë më parë kryeministri Ramush Haradinaj tha se pret që deri në muajin mars Projektligji për Qeverinë të diskutohen nga kabineti qeveritar. Haradinaj deri sa njoftoi kabinetin qeveritar lidhur me pakon e ligjeve të miratuara në Kuvend që ndërlidhen me reformën e administratës publike si dhe për projektligjin për Qeverinë, shtoi se është e rëndësishme që Kosova ta bëhet edhe me Ligj për Qeverinë pas Ligjit për Pagat.