Kryetari dhe nënkryetari i Partisë Socialdemokrate, Shpend Ahmeti dhe Dukagjin Gorani kanë takuar sot në Prishtinë, publicistin Veton Surroi dhe Luan Shllaku, drejtor ekzekutiv të Fondacionit për Shoqëri të Hapur (KFOS) në Kosovë.
Gjatë takimit u konstatua domosdoshmëria që Kuvendi i Republikës të ketë rol qendror në procesin e dialogut me Serbinë.
Duke e shpjeguar Projekt-rezolutën e paraqitur nga PSD-Nisma-Alternativa, përfaqësuesit e PSD-së vlerësuan nevojën e përfshirjes së shoqërisë civile në procesin e dialogut midis Kosovës dhe Serbisë.
Rezoluta dhe ligji për dialogun mundësojnë përfaqësim gjithëpërfshirës, vendimmarje konsensuale dhe platformë shtetërore, në përputhje me interesin e përgjithshëm të Republikës së Kosovës.
Partia Socialdemokrate ka vlerësuar iniciativën e Surroi dhe Shllaku, për të kontribuar pozitivisht në procesin e dialogut me Serbinë, me mbështetje në ekspertizë strategjike, duke mundësuar resurse nga një spektër i gjerë lokal dhe ndërkombëtar, drejt arritjes së marrëveshjes eventuale për njohje reciproke me Republikën e Kosovës.