Një delegacion prej tetë anëtarësh i Partisë Socialdemokrate (SPD) të Gjermanisë, i prirë nga deputetët e Bundestagut Gjerman, z. Josip Juratovic dhe z. Martin Rosemann, së bashku me drejtorin e Friedrich-Ebert-Stiftung (FES) në Prishtinë, z. Frank Hantke, janë pritur në takim në zyrat e Partisë Socialdemokrate (PSD) në Kosovë, nga kryetari z. Shpend Ahmeti, sekretarja organizative znj. Aida Dërguti dhe Shefi i Grupit Parlamentar të PSD-së, z. Dardan Sejdiu.
Gjatë këtij takimi u diskutua mbi situatën politike në vendin tonë dhe me theks të veçantë rreth zhvillimeve të fundit, me ç’rast nga ana e PSD-së u shpalosën qëndrimet dhe u diskutua mbi hapat e mëtejmë të PSD-së. Lidhur me këtë, u nënvizua rëndësia që Kuvendi i Kosovës të marrë përgjegjësi kyçe mbi proceset e rëndësime nëpër të cilat po kalon Republika e Kosovës.
Fokus të veçantë pati edhe bashkëpunimi i PSD-së me SPD-në, për çfarë u shpreh vullnet i dyanshëm për partneritet dhe fuqizim të bashkëpunimit. Për këtë nga të dyja palët pati zotim për hapa konkret që mundësojnë rritjen dhe forcimin e këtij bashkëpunimi, fillimisht duke potencuar rëndësinë për takime më të shpeshta të kësaj natyre.