Nënkryetari Visar Ymeri dhe Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialdemokrate, Dardan Sejdiu, kanë pritur sot në takim një delegacion finlandez të kryesuar nga ambasadorja e Finlandës në Kosovë, Pia Stjernvall dhe Drejtori për marrëdhënie ndërkombëtare në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Finlandës, Juha Mustonen.
Ky delegacion i përbërë nga diplomatë të rinj shprehën interesimin e tyre për gjendjen aktuale në Republikën e Kosovës, e veçanërisht për platformën dhe qëndrimet e PSD-së për zhvillimet në vendin tonë.
Fillimisht, përfaqësuesit e PSD-së diskutuan mbi problemet me të cilat përballet Republika e Kosovës dhe pengesat që kanë vështirësuar zgjidhjen e tyre. Më pas, folën rreth përkushtimit të PSD-së për një republikë sociale e zhvillimore, të barabartë për të gjithë qytetarët e saj pa dallim. Me theks të veçantë u prezantua synimi për integrim politik e institucional të komuniteteve, për të mundësuar bashkëjetesë të qëndrueshme mes tyre. Po ashtu, ata njoftuan përfaqësuesit nga Finlanda lidhur me angazhimin e PSD-së për një shoqëri demokratike, për krijimin e hapësirës ku respektohen vlerat individuale e grupore, dhe ku mundësohet jetë e dinjitetshme dhe mirëqenie për gjithësecilin.
Nga ana tjetër, përfaqësuesit finlandez falënderuan përfaqësuesit e PSD-së që i njoftuan detajisht lidhur me platformën politike. Ata shprehën gjithashtu interesim për takime të këtilla dhe bashkëpunim të mëtutjeshëm.
Duke theksuar marrëdhëniet e mira dhe rëndësinë e bashkëpunimit mes Kosovës dhe Finlandës, nga ana e përfaqësuesve të PSD-së u falënderua delegacioni finlandez për vizitën dhe për kontributin e madh të Finlandës për shtetin tonë. Si dhe, u nënvizua rëndësia e zhvillimit të marrëdhënieve të mëtejme dypalëshe.