Shkencëtarët kanë paralajmëruar prej muajsh se koronavirusi mund të përhapet nga aerosolet – spërklat e vogla të frymëmarrjes që përhapin njerëzit kur flasin ose teshtijnë, të cilat mund të qëndrojnë pezull në ajër për jo pak kohë.
Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) në SHBA e pranoi publikisht këtë rrezik më 18 shtator.
Ajo postoi udhëzime në faqen e saj në internet, duke i klasifikuar aerosolet si një nga mënyrat e përhapjes së koronavirusit dhe duke theksuar se kishte prova në rritje se grimcat e ajrit mund të qëndrojnë pezull dhe të udhëtojnë përtej 2 metrave.
Por, tri ditë më vonë, ky udhëzim ishte fshirë. Në një shënim në vend të tij thuhej se një draft ishte postuar gabimisht dhe se CDC-ja po punonte ende për përditësimin e udhëzimeve.
Ky lloj ndryshimi në qëndrim mund të shkaktojë konfuzion te publiku.
Në 5 artikuj të botuar së fundmi në “The Conversation”, ne u kërkuam ekspertëve të na shpjegojnë se çfarë janë aerosolet, si grimcat e ajrit mund ta transmetojnë koronavirusin dhe si të mbrohemi prej tyre.
Ç’duhet të dini për aerosolet?
Kur flisni ose këndoni, vërshimi i ajrit i prish fijet e mukusit në rrugët tuaja të frymëmarrjes, duke dërguar jashtë spërkla të ndryshme.
Ndërsa më të mëdhatë bien shpejt përtokë, ato më të imëtat dhe më të lehtat mund të qëndrojnë pezull në ajër. Nëse ju jeni të prekur me Covid19, ato spërkla mund të përmbajnë koronavirusin dhe një studim i hershëm sugjeron se mund të jetë infektues nga disa minuta në disa orë.
Ekspertët e aerosolit, Bajron Erat, Andrea Ferro dhe Godarz Ahmadi nga Universiteti Clarkson, e shpjeguan mekanikën e aerosoleve në një artikull të fundit për “The Conversation”.
Ata diskutuan gjithashtu se çfarë mund të bëjnë njerëzit për ta mbrojtur veten e tyre. “Vënia e një maske në fytyrë për ta ulur rrezikun e ekspozimit në ajër është tepër thelbësore” – shkruajnë ata – “dhe vogëlimi i kohës që kalohet në zona të mbingarkuara me një ajrosje të dobët është një mënyrë e mirë për ta ulur rrezikun e ekspozimit ndaj koronavirusit”.