Pse e bëtë Kosovën kaq të vetmuar?

Prishtinë | 25 Gus 2021 | 23:33 | Nga Ekonomia Online

Një shtet që ka fituar pavarësinë e tij së fundmi duhet të ketë si përparësi politikën e aleancave. Talebanët e kuptuan mirë këtë dhe, njëzet vjet pas humbjes së tyre, u rikthyen në udhëheqjen e Afganistanit me mbështetjen e Pakistanit, Kinës, Rusisë, Iranit, Turqisë dhe Katarit: fuqitë kryesore në rajon.

Por këtë duket se nuk e kanë të qartë në Prishtinë. Trembëdhjetë vjet pas pavarësisë, aty janë korrur njohje nga rreth njëqind vende, por jo nga të gjithë ata që janë anëtarë të Bashkimit Evropian dhe nuk duket se po përpiqen së tepërmi për të pasur të reja.

Madje, qeveria e Prishtinës nuk mori pjesë as në iniciativën për Ballkanin e Hapur, i cili propozon një zonë të tregtisë së lirë për mallrat dhe njerëzit në rajon. Duke vepruar kështu, ajo ka shqetësuar Brukselin (prej të cilit Prishtina kërkon prej kohësh liberalizimin e vizave) dhe Shtetet e Bashkuara, të cilat janë krijueset dhe mbështetëset e shtetit kosovar.

Përveç kësaj, Prishtina gjithashtu mbajti anë në kontrast të plotë me Tiranën, shtetin aleat, për arsye natyrore.

Por, kjo nuk mjafton!

Refuzimi kosovar gjithashtu lejoi që armiku i saj historik (Serbia) të shënonte një pikë në favor të saj, duke e nxjerrë veten si mbrojtëse të politikës së zbutjes së tensionit.

Në këtë mënyrë, izolimi politik i Kosovës po rritet dita-ditës dhe rrezikon të gërryejë edhe aleancat më solide ndërkombëtare.

Partia e Vetëvendosjes, që fitoi zgjedhjet e fundit, ka mbledhur një dëshirë legjitime për rinovim nga elektorati kosovar, duke zbatuar parimin e alternimit, i cili është baza e mekanizmit të demokracisë.

Klasa politike patriotike, që fitoi pavarësinë dhe hodhi themelet e shtetit të ri, ndoshta u gërrye nga dhuna e luftës dhe gjithashtu nga joshjet e praktikave qeveritare.

Partia Vetëvendosje erdhi në pushtet në bazë të kësaj nevoje për rinovim dhe dëshirës për të parë fytyra të reja në skenën e politikës kombëtare.

Dhe çka ndodhi, është një fenomen i ngjashëm me atë të refuzimit të “politikës”, që bëri të mundur fitoren e Lëvizjes “Pesë Yje” në Itali.

Por, kur u ulën në vendet e qeverisë, “rebelët” me Pesë Yje para së gjithash u rreshtuan me politikat historike pro-evropiane dhe atlantike të politikës së jashtme italiane dhe, më pas, ata e zbehën së tepërmi ideologjinë e tyre kundër sistemit.

Nëse parullat me të cilat erdhën “Pesë Yjet” në Romë ishin “jashtë Evropës” dhe “ne do ta hapim Parlamentin si një kanoçe me ton”, sot ato janë integruar plotësisht në dinamikën parlamentare dhe ish-udhëheqësi i tyre, ministri i Jashtëm, Di Maio, frekuenton shpesh zyrat e Brukselit dhe nënshkruan artikuj së bashku me Sekretarin Amerikan të Shtetit, Blinken.

Në këtë transformim politik, Lëvizja “Pesë Yje” sigurisht që ka humbur konsensusin e krahut më ekstrem të elektoratit të saj, por është akredituar si një forcë e qëndrueshme qeveritare.

Një vend nuk mund të qeveriset pa njohur përgjegjësinë që sjell ky rol dhe, mbi të gjitha, me një politikë që është në konflikt të hapur me interesat e tij themelore.

Njëzet vjet pas përfundimit të luftës, situata në Ballkan nuk është aspak e stabilizuar, madje as në hartat ku kufijtë duket sikur të jenë të vizatuara me laps.

Kjo është e vërtetë për Federatën Boshnjake, ku të tre komunitetet etnike nuk kanë qenë në gjendje t’i japin jetë një shteti të vërtetë dhe ku situata shoqërore-ekonomike është të paktën po aq shpërthyese sa ajo politike, aq sa dyshimi është se gjendemi përballë një shteti të dështuar.

Në Malin e Zi, tensionet midis përbërësve etnikë malazezë, serbë dhe shqiptarë janë në rritje, me Rusinë që fryn hapur mbi zjarrin.

Në Maqedoninë e Veriut, Bullgaria ka zëvendësuar Greqinë në politikën e agresionit, gjithashtu dhe ajo me mbështetjen ruse.

Dhe Kosova, një vend me më pak se dy milionë banorë, që nuk ka ekonomi reale dhe ende ka një pozicion ndërkombëtar shumë fluid, sigurisht që nuk është shembull i stabilitetit.

Lajmet e fundit rrëfejnë se pakicat serbe nuk do të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme lokale të Kosovës. Dhe ky nuk është një lajm i mirë për qeverinë e Prishtinës.

Gjithnjë duke supozuar se ajo është në gjendje ta kuptojë atë. (Stefano Marcelli/ Albanianpost.com)

Të ngjashme