Ish portieri i kombëtares shqiptare, Samir Ujkani ka rrëfyer se si është larguar nga Shqipëria për t’iu bashkuar përfaqësueses së Kosovës. Ai gjithashtu s’ka fjalë të mira për trajnerin, Gianni De Biasi.
Gardiani që mbron portën e Pisës ka shpjeguar se si është larguar nga Shqipëria drejt Kosovës dhe për këtë pikë, nuk ka kursyer edhe thumbimet ndaj trajnerit Gianni de Biasi.
“Si mund të mos e kuptosh kur dikush i lindur në një vend dhe ka përjetuar luftën, zgjedh menjëherë ngjyrat e këtij vendi sapo i jepen mundësitë? Një trajner mund të bëhet pengesë në këtë çështje. Megjithatë, presidenti i Federatës bëri gjithçka që ishte e mundur që të realizohej dhe e falënderoj. Mendoj se De Biasi ishte i frikësuar sidomos se mos të tjerët do të ndiqnin hapat e mi”, ishin fjalët e Ujkanit.
I pyetur nëse një gjë e tillë kishte ndodhur në të vërtete, Ujkani minimizoi gjithçka.
“Jo, unë isha i vetmi. Pak më vonë, edhe dy të tjerë bënë të njëjtën rrugë, por ata nuk kishin luajtur ndeshje zyrtare me Shqipërinë, thjesht kishin disa grumbullime. Unë i kam marrë zakonisht komentet e De Biasit si sulme personale”, vijoi portieri i Pisas, të cilit duket se nuk i ka mbetur merak pjesëmarrja në Europian.
“Unë humba Europianin dhe respektin e shumë njerëzve në Shqipëri por sot jam një njeri i lumtur. Askush nuk mund të ma marrë këtë”, theksoi Ujkani i cili zbuloi se ia kishte premtuar babait që në momentin e parë se do t’i bashkohej Kosovës sapo ajo të krijohej si kombëtare.