Sepse e ka shndërruar shtetin në shtet social dhe jo shtet me zhvillim ekonomik. Ky pushtet ka arritur qëllimin: ta kthejë vendin në shtet social, ashtu siç edhe realisht pjesa dërrmuese e kësaj popullate e dëshiron. Të fitojë pa punë, të gjejë një vend pune ku nuk ka punë, të keqpërdorë vendin e punës, ta shfrytëzojë atë si mjet për arritjen e disa qëllimeve.
Pesë vite: asnjë projekt madhor, asnjë investim serioz, asnjë ligj i vetëm përmbajtjesor që rregullon jetën e popullatës apo bizneseve.
Çka ka ndodhur me këtë Qeveri?
Lideri e ka studiuar jashtëzakonisht mirë mentalitetin social të pjesës dërrmuese të popullatës. E ka prekur popullatën aty ku më së shumti ka dëshirë, duke ia “gjuajtur” secilin muaj nga një kafshatë për të mos vdekur, për të mos e lejuar të mendojë me trurin e vet, për të krijuar varësi nga skemat sociale, për t’u demotivuar për punë, për ta konsideruar liderin duke e quajtur jo rastësisht edhe “Babë”, duke e konsideruar si shpëtimtar të kombit.
Para zgjedhjeve lokale apo nacionale, Qeveria ngrit përfitimet e këtyre skemave, merr vendime për ngritje të pagës minimale në sektorin privat dhe jo publik, merr vendim për pagën e 13-të në sektorin publik dhe jo privat, nuk stimulon bizneset private me asgjë—por vetëm i dëmton.
Ngritjen e çmimit të rrymës dhe “hajninë” ia atribuon qeverive të kaluara. Fshin projekte nga buxheti i shtetit për të mbuluar pagesat e premtimeve elektorale dhe askujt nuk i jep llogari.
Popullin e ka bindur se më mirë t’i ndajë mjetet me ta përmes skemave sociale sesa t’i investojë në zhvillim ekonomik dhe infrastrukturë, sepse aty janë kompanitë/bizneset e partive tjera që mund të përfitojnë dhe abuzojnë.
Me çka kënaqet një popullatë dhe si krijohet “miti”?
Popullin e ka bindur se do të ulë çmimet, se “ata para tij për 20 vite e kanë shkatërruar vendin”, se do ta reformojë arsimin, shëndetësinë, se do të kemi barna, sigurime shëndetësore, energji të lirë, “bashkim kombëtar”, banim social falas, çmime të lira dhe jetë të përballueshme.
Duke kritikuar numrin e madh të skemave sociale, ky pushtet vetëm sa i shtoi edhe disa prej tyre. Popullata i pranoi si të tilla, iu gëzua pa masë dhe krijoi varësi të plotë nga to.
Kjo i garanton pushtetit aktual fitoren. Kundërshtarët e kësaj teze e kanë të kotë luftën, sepse ai u ka “djegur” të gjitha letrat.
Partitë tjera kanë edhe një mundësi: të bien pre e “strategjisë sociale” dhe të premtojnë edhe më shumë rritje të skemave sociale – gjë që do të ishte dështim i tyre.
Realisht, në Kosovë nga 1,560,000 banorë, rreth 770,000 persona preken nga ndonjëra skemë sociale, që nënkupton se përqindja e madhe e tyre do të përkthehet në votë.
Anomalia më e madhe
Ka të bëjë me shpërndarjen e shtesave të fëmijëve me vendim e pa ligj, pushimin e lehonave të papuna me vendim e jo me ligj, shpërndarjen e skemës së ndihmës sociale duke anashkaluar ligjin në fuqi, e shumë vendime tjera me kosto qindra milionëshe.
Shembull:
– Fillimisht shtesat e fëmijëve kanë qenë 20 euro për moshën 0–2 vjeç dhe 10 euro për 2–16 vjeç, duke anashkaluar moshën deri në 18.
– Më pas dy fëmijët e parë me nga 20 euro dhe fëmija 3, 4, 5 me 30 euro.
– Pastaj rriten 50%: 30 euro për fëmijën e parë/dytë dhe 45 euro për fëmijët tjerë.
Statistikat tregojnë se rreth 90% e popullatës kanë më pak se tre fëmijë—politikë tipike populiste.
Një kryeministër i ri mund t’i shfuqizojë këto vendime derisa të rregullohen me ligj, gjë krejt normale.
Por propaganda thotë: “kushdo që vjen përpos neve do t’ua ndalojë shtesat”.
Kjo frikë e mban votuesin besnik.
Problemi i madh i listave të votuesve
Kosova me 1.56 milion banorë i ka të regjistruar 2.1 milion votues.
Një numër i madh përfitojnë skema sociale edhe pa jetuar në Kosovë, sepse mungon sistemi i monitorimit dhe inspektimit. Kjo nuk është rastësi – është qëllim.
Shumat dhe skemat
Të dhënat e ASK-së:
Ndihma sociale: 16,538 familje (rreth 60,000 persona)
Pensionet bazike të moshës: 154,583
Pensionet kontributpaguese të moshës: 47,772
Persona me aftësi të kufizuara: 19,893
Paraplegjikë/tetraplegjikë: 3,270
Pensione familjare: 2,718
Ish-punonjës të Trepçës: 1,048
Ish-punonjës të arsimit: 14,403
Familje dëshmorësh, invalidë dhe veteranë: 12,614
Veteranë: 36,990
Shtesa fëmijësh: mbi 400,000 të përfshirë
Lehona të papuna: mbi 10,000 (325 euro për 6 muaj)
Polisa për diasporën, varrime, skema “Super Puna”, “Qeveria për Familjen” – pa kontroll, pa inspektim.
Në total rreth 770,000 përfitues, pa llogaritur 227,000 nxënës që marrin mjete për libra.
Rreth 50% e popullatës preket në një formë ose tjetër nga skemat sociale.
Pse funksionon kjo taktikë?
Skemat sociale kthehen nga instrument mirëqenieje në instrument mobilizimi elektoral.
Elektorati i sheh si:
ndjenjë sigurie,
lehtësim financiar të menjëhershëm,
lidhje emocionale me qeverinë që “po jep”.
Krijohet varësi reciproke: qytetari përfiton, qeveria përfiton votë.
Përfundim
Vetëvendosje mund t’i fitojë zgjedhjet prapë sepse ka arritur të:
krijojë varësi,
gjenerojë besnikëri,
prodhojë frikë nga ndërrimi i qeverisë,
prekë emocionalisht shtresat e ndjeshme,
mbulojë mungesën e zhvillimit ekonomik përmes skemave sociale që funksionojnë si model elektoral.