Për të testuar idenë që truri juaj përshpejtohet në raste emergjente, profesor Dejvid Igëllmen dhe ekipi i tij në Kolegjin e Mjekësisë Bejlor, vendosi të hedhë vullnetarët nga një platformë 15 kate e lartë.
Në kyçet e duarve të vullnetarëve, studiuesit vendosën një pajisje të ngjashme me orën të cilën ata e quajtën “kronometri perceptues”, që shfaqte në ekran numra rastësorë, me një shpejtësi përtej asaj që mund të kuptojë një person normal.
Ideja ishte se nëse truri juaj përshpejtohet në kohë krize, pjesëmarrësit në rënie do të përjetonin një ngadalësim të kohës çka do t’i lejonte të shihnin numrat që shfaqeshin shpejt në kronometër. Mjerisht, vullnetarët s’mundën të lexojnë asnjë numër teksa u rrëzuan në mënyrën më të sigurtë që mund të ndodhë në një laborator.
Megjithatë, kur ata raportuan se sa kohë kishte zgjatur rrëzimi i tyre, perceptimi i kohës ishte 3 herë më i madh se ai në realitet. Studiuesit besojnë se kjo ndodh për shkak se në raste emergjence, një zonë e trurit në madhësinë e një arre e njohur si amigdala, aktivizohet për të prodhuar kujtime në një dendësi shumë më të lartë se sa në jetën e përditshme.
Kjo mund të jetë një mënyrë për të rritur shanset tuaja për të mbijetuar, pasi përderisa kujtoni një rast kur ishit në rrezik, kjo mund t’iu ndihmojë të shmangni sërish atë situatë. Kur sillni në kujtesë këto ngjarje emergjente, regjistrimi i ngjarjeve në detaje të shumta bën të duket sikur koha në fakt ka ngadalësuar në këtë moment.