Javën e kaluar Presidenti Thaçi shkoi në Qeveri për të folur rreth dialogut. Paraqitjen e Thaçit aty e bojkotuan Zëvendëskryeministri Fatmir Limaj dhe ministrat e tjerë të NISMA-s.
Në emisionin Frontal të T7, i ftuar ishte ministri i Arsimit, Shyqyri Bytyqi nga NISMA i cili ndër të tjera foli edhe për bojkotin që ministrat nga radhët e kësaj partie i bën Presidentit Thaçi kur ky mori pjesë në mbledhjen e Qeverisë për të diskutuar rreth dialogut me Serbinë.
Bytyqi e ka pranuar se mungesa e tyre u lidh me një hatërmbetje. Ai ka treguar se ministrat e NISMA’s nuk ishin njoftuar paraprakisht se do të kishte diskutim për dialogun dhe se Thaçi do të shkonte në Qeveri.
“Për neve ka qenë e papranueshme për mënyrën se si është thirrur kjo mbledhje. Për situata të tilla duhet të njoftohen partnerët e koalicionit”, ka thënë Bytyqi, shkruan Gazeta Express.
Bytyqi ka thënë në Frontal se ai dhe ministrat e tjerë të partisë së Limajt e kanë marrë vesh se Presidenti do të shkonte në Qeveri vetëm atëherë kur ka dalë njoftimi për media.