Aktakuza që prokurori i prokurorisë speciale, Agron Bajrami, e ka ngritur kundër ish-kryetarit të Gjilanit, Qemajl Mustafa dhe të tjerëve, për gjyqtarin Sylë Lokaj ka qenë e pakuptueshme, raporton KTV.
Lokaj, njëherësh kryetar i trupit gjykues në këtë rast, i ka nisur një kërkesë prokurorit për plotësimin e saj.
1 muaj kohë do të ketë prokurori Bajrami për të vepruar në bazë të kërkesës së Lokajt, në të kundërtën, siç edhe shkruhet në fund të kërkesës, gjykata do ta hedhë poshtë aktakuzën.
Hedhja poshtë e aktakuzës ndaj Mustafës dhe të tjerëve nuk do të ishte e pazakontë, të paktën aktualisht, për Prokurorinë Speciale.
Aktakuza ndaj Ramë Bujës e ish-sekretarit të MASHT-it, Xhavit Dakaj, rishtazi u hodh poshtë nga gjykata, e pak para saj, u hodh edhe ajo ndaj Pal Lekajt, ish-shef i grupit parlamentar të AAK-së dhe dy ish-zyrtarëve të Komunës së Gjakovës.
Në fund të vitit të kaluar, Gjykata Themelore e Gjilanit ka hedhur poshtë aktakuzën e Prokurorisë Speciale ndaj kryetarit të Gjilanit, Lutfi Haziri.
Monitoruesit e punës së institucioneve të drejtësisë fajin për këtë seri të zezë të Prokurorisë Speciale e shohin te nxitimi për të ngritur sa më shumë aktakuza.