Papritur, njësoj sikur “shkreptima e rrufesë në qiell të hapur”, mësojmë se në europe apo gjetkë nëpër botë, sportist/e me gjak shqiptari është shpallur kampion/e. E më pas ky lajm përcillet me një shpejtësi të hatashme në të gjitha rrjetet sociale, televizionet, radiot, gazetat dhe pa humbur kohë nis edhe fushata e përgëzimeve dhe krenarisë nga politikanët ,të cilët në më të shumtat e rasteve e kanë për qëllime fare mirë të lexueshme.
Shumë herë është abuzuar prej tyre! Këta shqiptarë, përfaqësues të Shqipërisë apo fatkeqësisht të ndonjë shteti tjetër kanë treguar se janë dëshmia më e mirë e lënies pas dore të sportit në vendin tonë dhe në raste të veçanta është vullneti i tyre që me shpenzime individuale lartësojnë flamurin kuqezi. Realiteti për ironi të fatit na shpalos përditë e më shumë para syve tanë se infrastruktura sportive është thuajse e amortizuar dhe në shumë pak qytete të vendit përveç Tiranës, gjatë këtyre viteve ka patur investime për mos të thënë s’ka pasur fare.
Kjo situatë e krijuar “vetiu” si pasojë e tranzicionit politik apo edhe faktorëve të tjerë, me kalimin e kohës ka sjellë një degradim të përgjithshëm dhe gradual të sportit, që sot për hir të së vërtetës ndodhet në gjendje kritike e të mjerueshme. Sportistët shqiptarë e kryejnë stërvitjen e tyre në kushte aspak-cilësore, krahasuar me kolegët në botë, çka i detyron shpesh sportistët për stërvitjejashtë vendit, për të garuar më pas në kushte të barabarta me kundërshtarët në veprimtaritë ndërkombëtare. Ndaj, shumë shpejt si pasojë e pamundësisë ekonomike dhe mungesës së kushteve për të ruajtur shkëlqimin e Kampionit të fituar me shumë mund, kjo madhështi nis të ndryshket. Pas kësaj, askund në Evropë nuk është dëgjuar që kampioni të nisin grevën e urisë ! Arsye kjo, që jo në pak raste ka nxitur sportistët të shpërthejnë me një lumë mllefi kundër federatave të tyre.
Rasti i sportistit të njohur të peshëngritjes, një nga rekordmenët më të lavdishëm të sportit shqiptar Erkand Qerimaj, i cili në mungesë të kushteve minimal që duhet të kishte krijuar Federate e Peshngritjes, stërvitej individualisht.E le më të flasim për dieta, fizioterapi etj etj..
Po ashtu edhe sportistja Luiza Gega, e cila vjet ishte flamur mbajtësja e ekipit olimpik kombëtar shqiptar në Olimpiadën e Rios. Duke lënë mënjanë nevojën që ka pasur sportistja Gega për kushtet bazike dhe mbështetje financiare ajo nuk ka pasur as pistë atletike për tu stërvitur. E shumë e shumë sportistë të tjerë që nga kjo pamundësi e kanë ndërprerë karierën e tyre profesionale dhe sot enden rrugëve me lavdinë e kyçur në kujtime për ëndrrën që kur nuk u realizua. Në këtë kontekst, pa pasur një minimum të këtyre kushteve s’mund të flasim për “Statusin e Sportistit të Nivelit të Lartë” apo për një të nesërme të ndritur.
Nga ana tjetër, sot për sot partneriteti mes qeverisë dhe institucioneve sportive është përmirësuar shumë, mirëpo “kaosi legjislativ” reflektohen si barrë e shumëfishuar në sistemin sportiv nga mungesa e strategjive si nga ana e institucioneve qendrore ashtu dhe nga ato federative. Kështu, keqmenaxhimi si rrjedhojë e pa aftësisë së institucioneve dhe interesave të tyre klienteliste, kanë çuar në kolaps kapacitetin publik, institucional dhe infrastrukturor, të zhvillimit të sportit në vend.Sot në Shqipëri kemi federata që janë tërësisht të pavarura, ndërsa disa të tjera plotësisht të varura nga shteti që për fat të keq individë të caktuar kana abuzuar pikërisht se “ngatërrojnë qëllimisht” nocionin e funksionit të tyre shtetëror me biznesin privat.
Një rast i ngjashëm është Federata Shqiptare e Futbollit për mos të folur për Federata që lulëzojnë aktivitetin e tyre në hije. Ndërkohë kur ligji i sportit i ka të përcaktuara që as pavarësia e plotë dhe as varësia e plotë nuk janë të pranueshme ligjërisht. Për këtë arsye Ministrinë e Arsimit dhe Sporteve duhet që në mënyre urgjente të veprojë lidhur me Ligjin për Sportet dhe të monitorojë me vigjilence këto institucione. Në të kundërt, këta kampion që ne kemi sot apo ata që do të lindin nesër do të kenë një dështim të garantuar të perspektivës së tyre në përfaqësimin e Shqipërisë, e si rrjedhojë do shpallen tradhtar pasi nga kjo pamundësi do të përfaqësojnë një tjetër flamur .